Lajme
Sfidat e punësimit për gratë nga komunitetet e pakicave
Demokracia
23:33 | 10 Prill 2023

Share:

Bleta Qehaja, pjesëtare e komunitetit egjiptian në Kosovë, ka lindur në komunën e Gjakovës, rreth 80 kilometra larg Prishtinës, ku ka përfunduar edhe shkollimin fillor dhe të mesëm.

Ndonëse pohon te mos ketë pasur shumë vështirësi në shkollim, Bleta mendon se në përgjithësi komunitetet pakicë në Kosovë përballen me paragjykime dhe trajtim jo të barabartë.

“Gjatë rrugëtimit kam parë që disa prej kolegëve kanë hasur në sfida, paragjykime e stereotipe të ndryshme, por që mua personalisht nuk më ka ndodhur një gjë e tillë. Është shumë normale që paragjykimet dhe stereotipet krijojnë mure dhe nuk lejojnë që njerëzit t’i shfaqin aftësitë e tyre dhe t’i tregojnë ambiciet e tyre, sepse këto mure që po krijohen pastaj po rrisin paragjykimin e paragjykimi po kthehet në diskriminim”, thotë ajo.

Ka më shumë se dhjetë vjet që Bleta ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Pavarësisht përpjekjeve të shumta, thotë ajo, nuk ka arritur kurrë të gjej një punë të rregullt në fushën e saj.

“Gjithmonë kam aplikuar në të dy sektorët, si në atë publik si në atë privat, në nivel lokal dhe qendror dhe gjithmonë kam gjetur hapësirë të kufizuar në organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, por asnjëherë ende nuk kam gjetur hapësirë në institucione publike në përjashtim të praktikave”, thotë Bleta.

Ajo thotë se pavarësisht që ligjet në Kosovë garantojnë kuota të punësimit të komuniteteve pakicë, sfidë mbetet zbatimi i tyre.

“Sa i përket pjesës de jure ose ligjore unë mund të them që i kemi ligjet më të mira në Ballkan por që kur vjen puna të zbatimi atëherë hasim në shumë vështirësi duke nisur nga buxheti e deri te mundësia për rekrutim të stafit në nivel lokal e qendror”, vlerëson ajo.

Nga muaji prill i këtij viti, Bleta ka nisur punën praktike në institucionin e Avokatit të Popullit, në saje të një projekti të Qendrës për Studime Gjinore në Kosovë, i cili synon të trajtojë diskriminimin gjinor e racor në tregun e punës në Kosovë.

Etleva Zeneli, bashkërenduese e këtij projekti, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se gjithsej 15 vajza e gra nga komunitetet pakicë kanë nisur punën praktike në institucione publike e private në qytete të ndryshme të Kosovës.

“Qëllimi i këtij projekti është adresimi i diskriminimit që bëhet në tregun e punës në Kosovë e posaçërisht diskriminimi në bazë gjinore e racore. Pra në njërën anë ky projekt tenton të tregojë nivelin e lartë të papunësisë te komunitetet pakicë në Kosovë e sidomos te gratë rome, ashkalike dhe egjiptiane. Në anën tjetër tenton të bashkëpunojë ngushtë edhe me sektorin privat edhe atë publik që të krijohen politika e të ndërmerren nisma për të zbutur ose eliminuar diskriminimin në vendin e punës”, thotë ajo.

Projekti i mbështetur nga ambasada holandeze në Kosovë, u mundëson nga 4 muaj punë praktike në institucionet që vajzat dhe gratë vet i kanë përzgjedhur.

“Kjo është bërë me qëllim që këtyre të ju ndihmojmë për t’i marrë ato shkathtësitë të cilat ju duhen dhe të jenë sa më të gatshme dhe sa më të pranishme në tregun e punës”, thotë Etleva Zeneli.

Ajo thekson se arsimi dhe punësimi janë ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballen gratë e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

“Te këto vajza ndodh një diskriminim i dyfishtë për shkak se dihet që ekzistonte në Kosovë është edhe racizmi edhe seksizmi, andaj është shumë e vështirë për këto vajza që fillimisht të arsimohen e pastaj të punësohen dhe të kryejnë aktivitete që janë jashtë atyre shtëpiake”, thotë ajo.

Sipas një studimi të kryer në vitin 2021 nga Qendra për Studime Gjinore me 250 gra të komuniteteve pakicë në Kosovë, një në dhjetë prej tyre del të ketë përfunduar shkollimin e mesëm, ndërsa vetëm rreth 8 për qind e tyre janë të punësuara dhe kryesisht pa kontrata të rregullta pune./VOA

Të ngjashme