Intervista
Serwer: Mandati i Speciales u kufizua në raportin e Dick Martyt, shumë pak u përdor në akuza
Demokracia
23:03 | 07 Prill 2023

Share:

Eksperti amerikan dhe profesori i Universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer, ka folur rreth gjykimit në Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Serwer ka publikuar disa prej pyetjeve që iu shtruan në një intervistë për “Periskopin”, derisa në Twitter ka shkruar “Haga shkon në rrugë të gabuar”.

Mes tjerash, ai është pyetur edhe nëse dëmtohet imazhi i Kosovës, në rast të shpalljes të ish-krerëve të UÇK-së fajtorë.

“Sigurisht që do të dëmtonte imazhin e UÇK-së, por më duket se shteti i Kosovës ka disa gjëra në meritë: krijimin e Tribunalit, dorëheqjen e kreut të shtetit dhe paraqitjen e tij me kolegët e tij në Hagë”, ka thënë ai.

Profesori amerikan po ashtu u pyet nëse mund të dallohen UÇK-ja dhe liderët e saj, pasi që prej fillimisht është thënë se nuk është kundër ushtrisë, por liderëve.

“Po, ata mund të dallohen, por aktakuza e Gjykatës nuk e bën këtë”, u përgjigj Serwer.

Njëra prej pyetjeve të tjera që iu bë ishte kjo: “Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka quajtur ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, “George Washingtoni i Kosovës” dhe në anën tjetër, ndërhyrjen e NATO-s në konflikt në anën e UÇK-së dhe kundër forcave të Sllobodan Millosheviqi dukej si një dëshmi e fortë se UÇK-ja dhe liderët e saj kishin të drejtën e tyre për të mbrojtur popullin e Kosovës. A është në rrezik ky diskurs tani?”.

Serwer u përgjigj qartë, duke thënë se “Është në rrezik pasi akuzat janë të gjëra”.

Eksperti amerikan ka folur edhe rreth raportit të Dick Martyt i cili ishte vendimtar në themelimin e këtij institucioni, duke iu përmendur se nuk po diskutohet shumë.

“Po. Mandati i Dhomave është i kufizuar në çështjet në atë raport. Por shumë pak nga ajo që është në raport është në akuzat ndaj liderëve të UÇK-së”, tha Serwer kur u pyet nëse mendon që qëllimi i procesit ka ndryshuar tashmë.

Të ngjashme