Lajme
Serwer kritikon SHBA-të për Specialen: Gabim i rëndë, juridiksioni i saj duhet të shtrihet edhe në Serbi
Demokracia
18:22 | 18 Tetor 2022

Share:

Profesori i Universitetit “John Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer, ka publikuar një opinion pas vizitës që i bënë disa përfaqësues nga Lugina e Preshevës.

Ai ka thënë se kjo vizitë e bëri atë që të mendojë sërish për dialogun Kosovë-Serbi.

Serwer ka deklaruar se deri sa presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz supozohet se po punojnë për një propozim të ri të madh, ai mendon se as presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e as kryeministri Kurti nuk duan të bëjnë ndonjë gjë të madhe për momentin.

“Ata të dy janë të zënë me konsolidimin e pushtetit, duke përdorur armiqësinë e tyre të ndërsjellë si mjet. Unë do të jem i pari që do të duartrokas nëse nisma e Macron-Scholz ka sukses. Por, nëse diçka e madhe nuk është e mundur, propozime më të vogla mund të jenë të vlefshme”, ka thënë Serwer.

Tutje, ai ka renditur disa “propozime të vogla” që duhet të jenë funksionale sipas tij, duke filluar nga reciprociteti.

“Reciprociteti duhet të jetë rregull. Reciprociteti është një parim themelor diplomatik. Vizitorët e mi më thanë se njerëzit në Departamentin e Shtetit preferojnë termin ‘simetri’. E pranoj se nuk e kuptoj ndryshimin. Çështja është se çfarëdo që të kërkoni nga dikush tjetër, duhet të jeni të gatshëm të jepni diçka të barabartë në këmbim, nëse ekziston një ekuivalent. Pra, nëse ka dhjetë vende të rezervuara për serbët në parlamentin e Kosovës (ka), Beogradi duhet të jetë i përgatitur të ofrojë një numër proporcional të vendeve të rezervuara për shqiptarët në parlamentin serb (ku sot nuk ka asnjë)”, ka thënë Serwer.

Ai ka thënë se i njëjti parim i reciprocitetit duhet të zbatohet edhe për Anotacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilën Beogradi dëshiron ta formojë brenda Kosovës.

“Ajo nuk duhet të ketë më shumë autoritet ekzekutiv sesa një shoqatë e krahasueshme e komuniteteve shqiptare brenda Serbisë”, ka thënë Serwer, transmeton lajmi.net.

Profesori i njohur amerikan gjithashtu ka thënë se reciprociteti duhet të zbatohet edhe tek forcat ushtarake, pasi që ndërkombëtarët kanë kufizuar Kosovën për të dërguar forcat e saj në komunat veriore me shumicë serbe, andaj sipas tij e njëjta duhet të ndodh edhe me Serbinë, në mënyrë që të kufizohet për të dërguar forcat e saj në komunat me shumicë shqiptare të Serbisë jugore.

Serwer nuk ka kursyer kritikat as për Dhomat e Posaçme të Gjykatës Speciale, duke thënë se Kosova e SHBA-ja së bashku kanë bërë një gabim.

“Komuniteti ndërkombëtar ka shkelur parimin e reciprocitetit/simetrisë me krijimin e Dhomave të Posaçme për të hetuar krimet e ndodhura në vitet 1998-2000. Mandati i tyre ishte i kufizuar në territorin e Kosovës. Ky ishte një gabim i rëndë, jo vetëm për Kosovën por edhe për Shtetet e Bashkuara. Forcat serbe vranë tre vëllezër shqiptaro-amerikanë (Bytyçi) menjëherë pas luftës. Pavarësisht nga premtimet e shumta të Beogradit, prokurorët nuk kanë paditur ata që urdhëruan vrasjet. Dy të paditurit të nivelit më të ulët janë shpallur të pafajshëm. Uashingtoni duhet t’i thotë Beogradit që pret që Serbia të ndjekë penalisht komandantët ose të pranojë juridiksionin e Dhomave Speciale”, ka thënë Serwer.

Në fund, Serwer ka radhitur edhe disa propozime reciprociteti të cilat sipas tij do të ndihmonin në rregullimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se kjo mund të fillojë duke iniciuar marrëdhënie të përbashkëta ushtarake në përputhje me parimet e OSBE-së, e gjithashtu të dy palët të merren vesh për demarkimin e kufirit mes tyre, pastaj edhe barazinë në nismat si Ballkani i Hapur.

Por, Serwer ka deklaruar se vetëm reciprociteti nuk mjafton.

Ai ka përmendur kërcënimet nga shërbimet sekrete serbe ndaj familjarëve të serbëve të Kosovës që kanë shprehur dëshirën t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në anën tjetër, profesori amerikan ka thënë se krimet serbe në Kosovë nuk kanë ndonjë krim të krahasueshëm nga shqiptarët ndaj tyre, duke përmendur këtu përdhunimin e mijëra grave dhe vajzave të Kosovës nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999.

“Beogradi duhet të kërkojë falje formale dhe të ofrojë kompensim. Dëbimi i civilëve shqiptarë nga Kosova në vitet 1998/99 dhe vrasja e afro 10 mijë prej tyre, ishte një shkelje e qartë e ligjeve të luftës. Edhe për këtë çështje do të shkonte një falje dhe kompensim”, ka thënë Serwer.

Ai ka thënë se shumë nga çështjet që ka përmendur nuk kanë të bëjnë vetëm me reciprocitetin, por këto veprime do të përmirësonin shumë qëndrimet mes dy popujve për njëri-tjetrin.

Opinionin e plotë të profesorit Serwer në gjuhën angleze mund të lexoni KËTU.

Të ngjashme