Lajme
Serwer i indinjuar me Lajçakun që s’e tha “asnjë fjalë” për terrorizmin e 24 shtatorit
Demokracia
09:38 | 30 Janar 2024

Share:

Daniel Serwer, specialist në fushën e menaxhimit të konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, shprehu indinjatën me Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, që s’e adresoi sulmin terrorist të 24 shtatorit në pjesën veriore të Kosovës.

Serwer, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, u shpreh se Lajçak s’e tha “asnjë fjalë” për terrorizmin e paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në takimin që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë një vizite në Beograd të hënën e 29 janarit.

“Asnjë fjalë për sulmin terrorist të 24 shtatorit të sponsorizuar nga Beogradi, mashtrimin në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Beograd apo përafrimin në rritje të Serbisë me diktatorët”, shkroi profesori amerikan nga “Johns Hopkins University” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Reagimi i Serwerit erdhi pas njoftimit të Lajçakut se në fokus të takimit që zhvilloi me presidentin serb, kanë qenë “perspektivat strategjike” për vitin 2024 dhe “hapat e ardhshëm” në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd nën ndërmjetësimin e BE-së.

Ndërkaq, këtë të hënë (30 janar), diplomati sllovak pritet të qëndrojë edhe në Prishtinë, ku do të ketë një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por edhe me  zëvendëskryeministrin kosovar, Besnik Bislimi, njëherit shef i ekipit negociator të Kosovës për çështje teknike të dialogut.

Të ngjashme
Lajme • 29 Qershor 2024