Sport
Sermaxhaj: Ky kampionat ndryshe nga të tjerët, këto dy skuadra duhet të përmirësohen
Demokracia
16:15 | 23 Shtator 2021

Share:

Kanë kaluar vetëm pesë xhiro nga edicioni i sivjetëm në futbollin kosovar dhe sigurisht tashmë mund të kemi një pasqyrë se si mund të jetë vazhdimi i këtij kampionati, që po cilësohet tejet interesante dhe i paparashikuar.

Nga 15 pikë sa kanë qenë në dispozicion deri tash, Drita e Ballkani kanë marrë më së shumti nga 11-të dhe me meritë i prijnë renditjes tabelare, shkruan Demokracia.com.

Në anën tjetër, dy skuadra tjera nga të cilat është pritur te kenë më shumë pikë, janë Gjilani e Prishtina, që kanë tubuar nga gjashtë përkatësisht pesë pikë, dhe pikërisht këto dy skuadra deri tash po cilësohet që kanë dështuar.

Ish-futbollisti i njohur, tani trajner me kategoritë e reja, Genc Sermaxhaj në një bisedë për Demokracia.com, i bërë një analizë pesë xhirove të para, i cili megjithatë e pranon se vazhdimi mund të sjellë ndryshime tek disa skuadra sa i përket rezultateve.

“Një kampionat ndryshe nga vitet e kaluara duke parë qasjen e ekipeve në ndeshje. Secila po futet në lojë për të bërë më të mirën dhe kemi parë që edhe e fundit në renditje mund ta mposhtë të parën dhe kjo është interesant për futbollin tonë”, ka thënë fillimisht Sermaxhaj.

“Kemi pritur nga ekipet të cilat janë përforcuar që të bëjnë dallimin edhe me pikë në renditje, por nuk po del të jetë ashtu. Ndoshta më vonë bëhet edhe shkëputja në renditje dhe vijnë ne pah cilësitë e ekipeve. Por sa i përket këtij fillimi, Prishtina duket se po çalon në rezultate e po ashtu edhe Gjilani të cilët nuk po mund t’a gjejnë vetën”, vlerësoi ish-futbollisti i Prishtinës e Gjilanit.

“Gjithsesi ka kohë për t’u përmirësuar sepse ndikojnë faktorë të ndryshëm për moskomponim të duhur të ekipit. Edhe Gjilani edhe Prishtina do të përmirësohen në vazhdim dhe do të zënë pozitat e tyre të merituara në renditje për të vazhduar më tej”, ka përfunduar Sermaxhaj.

Të kujtojmë se java e gjashtë luhet këtë vikend derisa Gjilani ka një test shumë të vështirë ku ndeshet me Dritën derisa Prishtina luan si mysafir i Feronikelit. /Demokracia.com

Të ngjashme