Sport
Sermaxhaj: Fitorja ndaj 89-shit është harruar, ndaj Prishtinës shpresojmë në rezultat pozitiv – Lufta për mbijetesë do të jetë e vështirë
Demokracia
13:05 | 05 Prill 2021

Share:

Pushimi dy javorë për shkak të Kombëtareve duket se u ka bërë mirë skuadrës së Drenicës e cila është rikthyer te fitorja në xhiron e 27-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Kuqezinjtë arkëtuan pikët e plota në stadiumin ‘Bajram Aliu’ pas fitores me rezultat të pastër 2:0 kundër Trepçës ’89.

Në fakt, kjo ishte fitorja e parë edhe e trajnerit të ri, Sami Sermaxhaj që duket se e ka nisur me ‘këmbë të mbarë’ aventurën e tij te klubi nga Skenderaj.

Në një prononcim për Demokracia.com Sermaxhaj ka thënë se fitoren ndaj “Minatorëve” tashmë e kanë harruar.

“Mirë që e kemi nisur me fitore, por tashmë e kemi harruar atë. I përgëzoj lojtarët për disiplinën dhe gatishmërinë që treguan një lojë e cila ndoshta nuk është shumë e pëlqyeshme, por na doli efektive. Gjitha urimet shkojnë për lojtarët që ndihmuan njëri-tjetrin”, deklaroi fillimisht ai.

 

Drenicën e pret një takim shumë i vështirë në xhiron e ardhshme pasi do të jetë nikoqire e Prishtinës.

Sermaxhaj shpreson në rezultat pozitiv, pasi siç ka thënë ai, skuadrat që nuk janë në formë të mirë mund të marrin rezultate pozitive edhe ndaj ekipeve kualitative.

“Gjitha ndeshjet i kemi të vështira, jo vetëm ndaj Prishtinës. Presim për ta dhënë maksimumin, si rezultat i angazhimit shpresojmë të marrim rezultat pozitiv. Duke e marrë parasysh se në futboll ndonjëherë që edhe ekipet që nuk janë shumë në formë mund të marrin rezultat pozitiv ndaj ekipeve kualitative siç është Prishtina”, shtoi Sermaxhaj mes të tjerash.

 

Objektivi i Drenicës tashmë është i qartë. Lufta për të mos rënë nga elita do të jetë synimi kryesor i tyre.

Trajneri, Sermaxhaj për fund ka thënë se ata do të marrin ndeshjet me radhë pasi deri në fund do të jetë e vështirë.

“Do të jetë luftë shumë e vështirë deri në lojën e fundit. Nuk do të jetë aspak e lehtë. Do të jemi gjithmonë të mobilizuar dhe t’i marrim ndeshjet një nga një. E dimë se rrugës do të kemi vështirësi. Jemi dakorduar që deri në fund të mbajmë përqendrimin dhe të luftojmë ta realizojmë objektivin”, përfundoi ai.

Ndryshe, Drenica pas 27 javësh ndodhet në vendin e tetë me 30 pikë, tri më shumë se Arbëria që ndodhet në zonën e kuqe për rënie.

Kujtojmë se Drenica nuk e ka shijuar asnjëherë Ligën e Parë që nga paslufta. /Demokracia.com

Të ngjashme