Lajme
Sërish përplasje në KQZ midis anëtarëve të VV-së me Valdete Dakën
Demokracia
17:41 | 26 Maj 2021

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e parë, pas betimit të anëtarëve të rinj, që u nominuan nga grupet parlamentare të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, për të diskutuar për aktivitetet e KQZ-së. 

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alim Rama dhe Sami Kurteshi janë përplasur me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka në mbledhje, në të cilën është diskutuar edhe për formimin e këshillave të KQZ-së, shkruan Demokracia.com.

Gjatë këtyre diskutimeve pati edhe kundërthënie mes anëtarëve të LVV-së dhe kryesues Valdete Dakës, gjë që kjo e shtyu Dakën që të pyeste anëtarin e LVV-së Alim Rama se çfarë po don.

“Çka po don Alim, a bon me ditë çka po don?”, e pyeti Daka.

Rama ia ktheu Dakës, duke thënë se e ka humbur kredibilitetin për të qenë kryesuese.

“Ti e ke humb kredibilitetin me qenë anëtare e KQZ-së e lëre më kryesuese”, ka thënë Rama.

Më pas Daka ia ka kthyer duke i thënë se nuk është çështje e tij.

“A e kam humb unë kredibilitetin a jo nuk është çështje e jotja”, i ka thënë Daka.

“Pse po bërtet Alim”, ka vazhduar ajo.

Pas këtij diskutimi ka ndërhyrë anëtari tjetër nga LVV-ja, Sami Kurteshi duke i thënë se Daka ka nënshkruar letra që s’i ka miratuar KQZ-ja.

“Zonja kryesuese, ju po ndërhyni, ju nuk keni të drejt të komentoni diskutimet e anëtarëve të KQZ-së, keni të drejt me kërku, a e ndëgjuat, vota për kundër dhe kaq. Arsyetime të tilla të kundërligjshme keni bërë vazhdimisht, keni nënshkruar letra që nuk i ka  miratuar KQZ-ja, pikërisht duke e keqpërdorur pozitën e monopolit njëfar mënyre të kryesueses. Akuza irrituese është mos bërtit, po ju nuk po e lëni me fol”, tha Kurteshi.

Sami Kurteshi ka vazhduar edhe më tej përplasjen me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka duke i thënë se nuk do të jetë më njëjtë në këtë institucion.

Kurteshi i tha Dakës se nuk është kredibile që të udhëheq me KQZ sepse sipas tij ajo ka përkatësi politike.

“Unë po them ky votim është politik përpjekje për atë që ka qenë, nuk mbrohet kështu. Dhe këto vendosen vetëm kur të jetë përbërja e plotë e KQZ-së”, tha Kurteshi.

“A bon me ditë çka keni. Moti e keni hup me sjelljen që e keni”, iu kundërpërgjigj Daka, raporton Demokracia.com.

“Ju po doni me dështu KQZ-në për shkak të përkatësisë politike. Ju nuk dini me mendu si unë”, vazhdoi të fliste më zë të lartë Kurteshi.

Sekretari i KQZ-së, Burim Ahmetaj ka thënë se sekretariati është në përgatitje të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

“Në kuadër të përgatitjeve, jemi duke e përgatitur edhe draft planin operacional për zgjedhjet lokale. Pra deri në shpalljen e ditës së zgjedhjeve do të jemi të gatshëm të publikojmë edhe planin operacional”, tha Ahmetaj.

Pakënaqësi të anëtarëve të LVV-së pati edhe për anëtarët e kësaj partie, të cilët kërkon që të kenë tre anëtarë në KQZ.

Almi Rama nga LVV, ka kërkuar që kjo parti të i ketë në KQZ tre anëtarë.

“Me 42 deputet i kemi tre anëtarë por anëtari i tretë është i kontestuar”, tha Rama.

Floraian Dushi anëtar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se më herët janë përfaqësuar njëjtë në KQZ.

“Edhe ne i kemi pas 25 për qind, e ju me një përqindje nën 10, por në KQZ jemi përfaqësu njëjtë me nga një anëtar”, tha Dushi.

Sami Kurteshi nga LVV-ja tha se nëse presidentja nuk vendos për anëtarin e tretë të kësaj partie, atëherë do të dërgojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse presidentja vendosë që me e dërgu anëtarin e tretë të LVV-së, atëherë PDK-ja do ta dërgojë rastin në Gjykatë Kushtetuese”, tha Kurteshi.

Në mbledhjen e KQZ-së janë regjistruar edhe tri parti të reja. Iniciativa Balli, Bošnjačka Stranka dhe Kosova Adalet Türk Partisi, këto janë tri partitë e reja të cilat janë regjistruar.

Kujtojmë se aktualisht përbërja e re e KQZ-së ka dy anëtarë më pak, pra 9 nga 11, pasi Presidentja e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese./Demokracia.com/

Të ngjashme