Avioni i “Air Serbia” që fluturonte në linjën Beograd-Moskë është kthyer sot në aeroportin “Nikola Tesla” pas vetëm 20 minutash fluturim, shkruan Demokracia.com.
“Ne jemi ende mbi rrota (në pistë). Ka pasur shumë turbulenca, u kthyem 20 minuta pas ngritjes. Në aeroplan janë rreth 260 pasagjerë, mes të cilëve edhe shtetas rusë”, tha një nga pasagjerët, duke shtuar se nuk u është thënë arsyeja pse fluturimi u anulua.
Kujtojmë se rreth dhjetë ditë më parë pati një sërë raportimesh të rreme për bombë gjithashtu në fluturimet nga Beogradi në Moskë.
Në vetëm dy javë, 10 herë u raportua se kishte bombë të vendosur në një aeroplan të “Air Serbia” në fluturimin Beograd-Moskë. Doli se gjithçka ishte e rreme. Prokuroria për Krim të Organizuar ka nisur procedurën para hetimore për veprën penale terrorizëm.
Serbia është i vetmi vend evropian që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë pasi kjo e fundit nisi sulmet për pushtimin e Ukrainës. Serbia është kritikuar edhe për linjën ajrore Beograd-Moskë, duke u bërë po ashtu vendi i vetëm që e mban të hapur korridorin me Rusinë. /Demokracia.com/