Lajme
Seri dorëzimesh nga Kurti, thotë se plani franko-gjerman është “marrëveshje bazë” dhe “nuk ka njohje” nga Serbia
Demokracia
11:58 | 09 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse dikur zotohej se marrëveshja finale me Serbinë do të përfundonte përbrenda mandatit të tij si shefi i Qeverisë, sot në Kuvendin e Kosovës devijoi fjalët e tij. Ai tha se plani franko-gjerman, është e natyrës së marrëveshjes bazë, e jo finale. Gjithashtu, ka bërë të ditur se plani franko-gjerman nuk e përmban njohjen reciproke.

Kurti, në deklarimin e tij në Kuvendin e Kosovës përgjatë seancës plenare të së enjtes, e ka paketuar planin franko-gjerman si marrëveshje bazë dhe ka tentuar të vë mëlmesa në të, se pse Kosova e përkrahë atë, shkruan Demokracia.com.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, me datën 18 gusht të vitit 2022, ka ndodhur një takim i rëndësishëm në Bruksel sepse për herë të parë ka pasur agjendë, ku pika e parë ka qenë korniza e marrëveshjes. Zakonisht kur jemi takuar në Bruksel ka pasur gjithmonë polemika të ashpra, por jo agjendë të strukturuar. Marrëveshja duhet ta ketë kornizën e përgjithshme paraprakisht. Kur është ftuar kjo mbledhja unë menjëherë jam përgatitur një faqe me gjashtë kapituj lidhur me atë se çfarë unë besoj se duhet të mbajë korniza e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Emisari Lajçak vjen me dy emisarë të tjerë nga BE-ja, tre javë më vonë, të cilët paraqitën një propozim, jo një plan, për një marrëveshje që njëmend nuk është finale. Është sërish një kornizë, marrëveshje bazike, por jo përfundimtare. Kjo marrëveshje, e cila ka fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, është sërish veçse një marrëveshje bazë, jo finale ligjërisht e obligueshme çfarë na nevojitet neve. Duhet ta kuptojmë një gjë: Nuk ka pasur mundësi që të vijnë nga Brukseli, Parisi dhe Berlini dhe të na sjellin marrëveshjen finale. Sepse, kjo do shumë proces të gjatë negociator. Emisarët evropianë nuk na e ka sjellë një dokument në stilin “merre ose lëre””, ka deklaruar ai.

“E dyta, Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë, ne sot kemi mos-njohje reciproke. Ajo çfarë na duhet është njohja reciproke. Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë. Marrëveshja sipas modelit të dy Gjermanive e bën ndarjen e njohës reciproke në ‘de facto’ dhe ‘de juro’. Prandaj, nëse mund të thonim diçka për propozimin e ofruar, aty paragrafët që merren nga modelet e dy Gjermanive, janë paragrafë që pikërisht i referohen asaj njohjes ‘de facto’. Në kuadër të preambulës, është edhe trashëgimia e së kaluarës. Duhet ta kuptoni, nuk janë vetëm dy faqe tamam, është një tekst shumë i përgjithshëm dhe i shkurt. Kur thuhet në anglisht “legacy of the past”, do shumë punë se si duhet adresuar”, ka vijuar më tej Kurti.

“Tjetra, në preambulë gjithashtu ka referencë për pakicat kombëtarë. Mirëpo, çka do bëhet me këtë togfjalësh sërish varet nga zhvillimet politike dhe procesi i mëtejshëm negociator. Ajo çfarë kam thënë unë nga shtatori lidhur me këtë propozim është se ky propozim paraqet bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme. Unë nuk e kam refuzuar propozimin. Shtrohet pyetja, pse unë besoj që është bazë e mirë? Deri më sot Kosova nuk ka pasur një propozim në të cilën janë konceptet evropiane dhe demokratike me vlerë universale. 10 vjet bisedime që janë zhvilluar bisedime që janë zhvilluar në Bruksel, ka qenë brenda asaj të ideologjisë së zgjidhjes së problemit. Kur e zgjedh një problem super të veçantë, kategoritë universale nuk hyjnë në punë. Gjykata e Apelit në veri kështu në veri ashtu. Këto nuk janë vlera universale. Qasja në të kaluarën ka qenë kësisoj. Në propozimin franko-gjerman, janë vlerat universale. Një marrëveshje bazë që ka vlera universale brenda, konsideroj që është edhe e drejtë edhe e dobishme për RKS”, shtoi Kurti.

“Në kapitullin 5, ka qenë konsiderimi i marrëveshjeve të mëhershme. Fjalia e fundit në nenin 10 të propozimi evropian po ashtu i referohet marrëveshjeve të mëhershme. Por, beteja politike që po zhvillohet aktualisht është kjo: Në njërën anë, prej 33 marrëveshjeve, Beogradi dëshiron ta përzgjedhë vetëm njërën që e ka më të dashurën, ajo për Asociacionin. Ato marrëveshje nuk kanë hierarki as vlerore as logjike. Ato kanë rend kronologjik. Nuk mund ta përzgjedhësh një marrëveshje nga 33, as ta vendosësh njërën para tjetrës. Beteja tjetër është që në kuadër të propozimit të BE-së, ai neni i 10-të, i cili i referohet marrëveshjeve të mëhershme, me një lloj sforcimi dhe insistimi, të nxjerrët gati në preambulë. Kjo është e papranueshme tek ne. Neni 10 nuk është as neni 8 as neni 2, as preambula. Por, Beogradi po bën betejën më të madhe që nenin 10 ta nxjerrë në preambulë, në mënyrë që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të jetë parakusht. Por, ai për neve nuk është i pranueshëm as si parakusht as në qendër. Për këtë, propozimi evropian nuk e ka Asociacionin as parakusht as në qendër”, vijoi më tej ai.

Kurti, në emër të konfidencialitetit të planit evropian, ka kërkuar nga opozita që ta thërrasin një seancë në Kuvend me dyer të mbyllura. /Demokracia.com/

Të ngjashme