Lajme
Serbia vazhdon të pretendoj se Britania i solli në Kosovë ‘Javelinët’ e famshëm, përmendet edhe Kurti
Demokracia
22:26 | 18 Prill 2022

Share:

Mediat në Serbi dhe politikanët atje vazhdojnë të flasin dhe të pretendojnë se Britania e Madhe i ka dhuruar të premten Kosovës një aeroplan me armë anti-tank “Javelin” dhe “NLAW”.

Në lajmet qendrore të televizionit serb B92 është shfaqur kronika ku sipas tyre është punë e kryer armatosja e Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar, përcjellë Demokracia.com.

“Sipas mediave, Britania e Madhe i ka dorëzuar Prishtinës një sasi të caktuar të sistemeve raketore antitank “Javelin”. Sipas ekspertëve, ato janë provuar të jenë një armë efektive në luftimet në Ukrainë. Cili është qëllimi i armatimit shtesë të Forcës së Sigurisë së Kosovës? Albin Kurti ka konfirmuar rritjen e buxhetit për ushtrinë, por ka theksuar se deklaratat nga Beogradi nuk duhet të merren si fakte”, thuhet në raportin e televizionit serb.

“Deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk duhet të pranohen si fakte. Këtë na mëson si e kaluara ashtu edhe e tashmja. Por, është e vërtetë, ne kemi rritur buxhetin për ushtrinë për 52 për qind”, tha ai.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, në Twitter ka shkruar se Ushtria e Kosovës është pajisur dhe vazhdon të furnizohet me armatim modern.

“Vendi ynë është i sigurt falë ushtrisë sonë dhe aleatëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Investimi në ushtri është angazhimi ynë që do ta përmbushim me çdo kusht”, citohet Mehaj nga televizioni serb.

Gazetat e Vuçiqit: Britania po i përgatitë ‘shiptarët’ për luftë, këto janë armët që ua dha

Shumë nga gazetat beogradase që kontrollohen nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë dalë sot me tituj bombastikë në ballinat e tyre, duke e akuzuar Britaninë e Madhe se po e armatos Kosovën dhe po e bën gati për luftë.

Kjo derisa shqiptarëve të Kosovës u referohen me epitetin ofendues “shiptari”.

Këto media i referohen deklaratës së kryeministres serbe, Ana Bërnabiq dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vuçiq, të cilët kanë thënë se Britania e Madhe të premten ka sjellë një aeroplan me armatim për Kosovën, shkruan Demokracia.com.

Ata thonë se në këtë sasi armësh kishte raketa anti-tank NLAW dhe Javelin.

Gjatë ditës se premte, misioni i KFOR-it në Kosovë njoftoi që në Aeroportin e Prishtinës zbarkoi një aeroplan i Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, për të kryer një operacion ndihmës për forcat tokësore britanike që shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Avioni ishte i llojit “A400M Atlas”.

“Avioni A400M është një mjet strategjik shumë funksional, i aftë për të transportuar ngarkesa të rënda në distanca të konsiderueshme, në lartësi të ndryshme me aftësinë për të ulur në pista shumë të shkurtra. Forcat ajrore në Gjermani, Francë, Spanjë, Turqi dhe Belgjikë gjithashtu operojnë me A400M, duke formuar kështu bazën kryesore të transportit ajror të NATO-s”, thuhej në njoftimin e KFOR-it në llogarinë e tyre zyrtare në ‘Facebook’.

Megjithatë, sipas mediave serbe, përmes këtij fluturimi është realizuar dërgesa e raketave “Jevelin” dhe “NLAW” në Kosovë, të cilat po përdoren edhe nga forcat ukrainase për luftë kundër trupave ruse. /Demokracia.com/

Të ngjashme