Lajme
Serbia tenton ta fsheh rastin e snajperistes famëkeqe që u kap në Ukrainë
Demokracia
17:41 | 28 Mars 2022

Share:

Forcat ukrainase njoftuan të shtunën se e kanë kapur serben, Danijela Lazoviq gjatë luftimeve atje. Më herët, Lazoviq e njohur edhe si “Bagira”, kishte shërbyer si “motër e nderit”. Ajo e mban edhe emrin kishtar Ksenija. Lazoviq është e njohur si snajperiste dhe bënte pjesë në forcat pro-ruse që pushtuan Donbasin.

Në një postim të forcave ukrainase në Twitter thuhet se Lazoviq, e cila rregullisht ka shkuar në Kosovë, që nga viti 2014 (koha e nisjes së pushtimit të Donbasit nga Rusia) është angazhuar si snajperiste atje, shkruan Demokracia.com.

Lazoviq në vitin 2020 ishte bërë lajm nga mediat ukrainase. Asokohe raportohej se identiteti i saj ishte vështirë të konfirmohej, pasi që paraqitjet në rrjetet sociale i bënte duke e fshehur fytyrën dhe se kurrë nuk fliste për jetën e saj.

Ndërkaq sot ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. “Kapja e të dyshuarës, shtetases serbe D.L. nga forcat e armatosura të Ukrainës është e pavërtetë”, thotë Ministria e Brendshme e Serbisë.

Sipas MUP-it serb, Danijela Lazoviq “u arrestua në tetor 2020 dhe që atëherë ajo ka qenë duke u mbajtur në Pozharevc, ku po vuan dënimin prej gjashtë vjetësh burgim, kështu që nuk mund të merrte pjesë apo të kapej në Ukrainë”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu sipas kësaj ministrie, personi nga fotografia e publikuar në media nuk është D. L. “Bagira”.

Edhe pse nuk kishte shumë informacione për “Bagirën”, megjithatë thuhej se ajo ishte 32 vjeçe dhe vinte nga qyteti serb, Gornji Milanovac.

“Daniela Lazoviq është marrë me hendboll kur ishte e re. Derisa merrej me këtë sport ajo u shpërngul nga Gornji Milanovac për në Golubac, afër manastirit të Tumanes. Në një pikë, ajo donte ta ndërronte fenë dhe të bëhej myslimane, megjithatë, hoqi dorë nga kjo dhe vendosi të shkonte në manastir”, ka thënë një burim i afërt me familjen e saj.

Po ashtu thuhet se “Bagira” ka vrarë edhe civilë ukrainas që nga angazhimi i saj në fillim të luftës në Donbas.

Luftimi i Lazoviqit në Ukrainë, në anën e rusëve, demanton krerët e shtetit serb se nuk ka qytetarë të këtij vendi atje. Edhe më herët ka pasur raportime se shumë vullnetarë serbë po luftojnë si pjesë e ushtrisë ruse kundër ukrainasve, duke nisur nga Donbasi dhe rajone tjetra ku po zhvillohen luftime. /Demokracia.com/

Ukrainasit kapin snajperisten famëkeqe serbe që shërbeu si “motër nderi”, e përmendin edhe Kosovën

 

Të ngjashme