Lajme
“Serbia sot na dëshmoi se si e sheh krijimin e Asociacionit”, takimi trepalësh për dinarin sërish pa rezultat
Demokracia
20:25 | 25 Prill 2024

Share:

Një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës [lexo: Qeverisë së Kosovës] për të ndaluar dinarin në operacionet me para të gatshme, përveç një reagimi të ashpër ndërkombëtar në vazhdën e thirrjeve për një tranzicion më të ngadalshëm në kontekstin e nevojës për të shmangur pasojat potencialisht problematike në vendbanimet me shumicë serbe, tash e disa javë është shndërruar në qendër të diskutimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Megjithatë, edhe pas takimit të sotëm trepalësh, arritja e një ujdie për këtë çështje duket vite dritë larg, me zëvendëskryeministrin Bisimi që theksoi pas takimit shqetësimin e tendencave të Serbisë për “licensimin e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë”, derisa nëvizoi mungesën e interesimit të Serbisë në gjetjen e zgjidhjeve për individët e prekur nga vendimi i BQK-së.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog të Kosovës, Besnik Bislimi, ka shprehur “brengën” e tij pas takimit për qëndrimin e Serbisë, e cila, sipas tij, ka dëshmuar se ata e shohin Asociacionin si një “mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”.

“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe]”, tha ai.

“Kemi dëgjuar disa deklarata bukur brengosëse nga ana e Serbisë, të cilat kanë bërë që faktikisht qëndrimet në vend që të afrohen të largohen. Sot për herë të parë ne kemi parë haptazi të dokumentuar nga Serbia se si ata e shohin procesin e krijimit të asociacionit, përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Bislimi.

Dështon pa marrëveshje takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkoi financa për strukturat në veri deri të krijohet Asociacioni

Sipas Bislimit brenga e Serbisë rreth çështjes së dinarit mbetet “licenimi i institucione paralele të Serbisë në Kosovë”.

“Unë mendoj që është një përpjekje e mirë e z. Lajçak që të gjejë një zgjidhje. Edhe z. Lajçak njësoj si pala kosovare brengën kryesore e ka se si individët të cilët janë prekur nga vendimi i BQK-së apo rregullorja e BQK-së, të mund të vazhdojnë të marrin mbështetjen financiare përderisa Serbia edhe sot gjithë brengën e saj e ka patur se si duhet të licensohen institucione paralele të Serbisë në Kosovë”, tha kryenegociatori Bislimi.

Në lidhje me propozimet e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Bislimi deklaroi se ndonëse “shkon në drejtimin e duhur”, merr kohë që palët “ti analizojnë elementet brenda tij, qoftë implikimet ligjore apo të ngjashme.”

Nga ana tjetër, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se shfyrtezuan takimin për të prezantuar ide për zgjidhjen e çështjes se dinarit në kontekst të zhvillimeve që sipas tij, “kërcënuan mbijetesën e popullit serb në Kosovë”.

“Kemi kaluar më shumë se shtatë orë në ndërtesën e Shërbimit të Politikës së Jashtme të BE-së. Bisedimet ishin të vështira dhe të tensionuara. Ne patëm bisedime të drejtpërdrejta me palën prishtinase, gjë që është mirë. Ne patëm mundësinë të prezantojmë gjithçka rreth ideve të BE-së se si për të zgjidhur çështjen e dinarit, duke pasur parasysh se Albin Kurti kërcënoi mbijetesën e popullit serb në Kosovë me vendimin e tij të njëanshëm për shfuqizimin e dinarit”, tha Petkoviq para gazetarëve.

Ndonësë Bislimi bëri të ditur se propozimet e palës sërbe nuk morën përkrahjen e Lajçakut, Petkoviq pretendoi se emisari i BE-së për dialogun u “vlerësuan si konstruktive”.

“Komentet e reja që i dërguam Miroslav Lajçakut janë bërë me mirëbesim dhe janë vlerësuar si konstruktive dhe ofrojnë zgjidhje”, shtoi ai.

“Ishte takim i vështirë dhe me tensione”: Petkoviq flet për diskutimet rreth dinarit në Bruksel

 

Të ngjashme