Thirrja e Albin Kurtit që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt në NATO si garanci për të shmangur luftën në Ballkan është pritur me shqetësime në Serbi. Ministri i Brendshëm serb, Aleksandër Vulin ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në këtë aleancë do të thoshte as më pak dhe as më shumë, por “luftë” për Serbinë.
“Është një kërcënim i hapur për Serbinë dhe një tjetër formë presioni ndaj Presidentit Vuçiç nga vendet që mbështesin anëtarësimin e Prishtinës në NATO dhe këto vende e dinë këtë”, tha ai.
Sipas Vulin, nëse Kosova do të anëtarësohej në NATO, Kryeministri Albin Kurti nuk do të ngurronte që të sulmonte serbët në veri të Kosovës.
“Do të provokonte konlfikt deri kur shteti serb të detyrohej që të ndërhynte për të mbrojtur njerëzit e tij”, thotë ai.
Ministri i serb i Brendshëm tha gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO shkel rezolutën 1244 të OKB dhe marrëveshjen e Kumanovës.