Lajme
Serbia sërish manipulon me “Shtëpinë e Verdhë”, Vulin përgatit për të “dokumentar” me RTS-në
Demokracia
16:40 | 05 Tetor 2022

Share:

Serbia po vazhdon të prodhojë propagandë kundër Kosovës dhe ish-liderëve të UÇK-së. 23 vjet pas luftës, shteti serb nuk po mund të pajtohet me realitetin e Kosovës së pavarur, prandaj po mundohet në çdo situatë të bëjë dëme aq sa mundet, duke përdorur pikërisht armën më të fuqishme – gënjeshtrën përmes vizualizimit.

Pas prodhimit të disa dokumentarëve për humbjen e luftës në raport me UÇK-në, duke tentuar që faktet t’i shtrembërojnë deri në atë masë saqë edhe vetë nuk u besojnë, Serbia tash po tenton të manipulojë sërish me të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”, shkruan Demokracia.com.

E ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri ishte shpikur pikërisht nga regjimi serb, duke manipuluar se gjoja aty ishin kryer “transplante dhe trafikim organesh”. Mirëpo, pas shumë hetimeve ndërkombëtare, doli që aty nuk u gjet asgjë dhe nuk kishte ndodhur kurrfarë transplanti e trafikimi. Këtë e konfirmoi edhe raporti i ish kryehetuesit të Gjykatës Speciale, Clint Williamson, i cili tha qartë se nuk kishte trafikim organesh.

Derisa në Hagë po mbahen ish-krerët e UÇK-së dhe procesi ndaj tyre pritet të fillojë brenda disa muajve, ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, është hedhur sërish në aksion për ta ringjallur tregimin për “Shtëpinë e Verdhë”.

Vulin, i cili njihet për deklaratat antishqiptare dhe për afërsinë me Vladimir Putinin, ka marrë përsipër prodhimin e dokumentarit të titulluar “Shtëpia e Verdhë” në bashkëpunim me Radio Televizionin Publik të Serbisë.

RTS-i deri më tash i ka prodhuar disa filma dokumentarë, ndërkaq më i njohur mbetet ai për Betejën e Koshares, ku megjithatë pranohen humbjet e mëdha të ushtrisë serbe, si në pajisje, ashtu edhe në personel.

Vulin, dikur pjesë e partisë JUL të Mira Markoviq, bashkëshortes së ish “kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq, e ka vizituar ditë me parë në terren ekipin e xhirimit të këtij “dokumentari”.

Në njoftimin e MPB-së së Serbisë, thuhet se “Aleksandar Vulin e ka vizituar ekipin e filmit ‘Shtëpia e Verdhë’, të serialit të tretë dokumentarë në kuadër të ‘Dosjes së Kosovës’, të cilin MPB-ja po e xhiron në bashkëpunim me Radio Televizionin e Serbisë. Vulin ka thënë se xhirimi i këtij filmi është borxh i Serbisë ndaj pasardhësve dhe mënyra për të thënë të vërtetën, që vdekja e viktimave të mos jetë e kotë”.

Në pamjet e publikuar në Facebook, afër Vulinit shihen dy persona me veshje kamuflazhi dhe emblema të UÇK-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme