Lajme
Serbia përsëri pushton tregun, brenda një muaji futi miliona euro mallra në Kosovë
Demokracia
19:00 | 29 Shtator 2022

Share:

Kosova po vazhdon të jetë e varur nga importi i mallrave. Edhe gjatë muajit gusht të këtij viti shumë mallra nga shtetet e huaja kanë hyrë në vendin tonë. Me miliona euro të importuar, Serbia vazhdon të jetë e para në këtë listë, duke lënë pas Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Importimi i produkteve të Serbisë në Kosovë po vazhdon të rritet për çdo ditë e për çdo muaj. Nga 88 milionë euro sa ishte muajin e kaluar, importimi i mallrave nga vendet e CEFTA-së ka shkuar në 100 milionë, shkruan Demokracia.com.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka importuar nga Serbia 7.4 për qind të importimi të mallrave.

“Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin gusht 2022, arritën në 100,0 milionë euro, ose (19.0%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (26.9%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.4%), Maqedonia (5.5%), Shqipëria (4.1%).”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

ASK tutje tregon se importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin 213.2 milionë euro, ose 40.5 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 20.2 për qind. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania 9.5 për qind, Greqia 8.7 për qind, Italia 3.8 për qind dhe Sllovenia 3.4 për qind.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet tjera, Turqia me 13.6 për qind dhe Kina 10.1 për qind.

E nga ky numër, sipas ASK u importuan më së shumti këto produkte.

“Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesor për import e përbëjnë: (22.9) produktet minerale, (12.2%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (10.5%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (9.3%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (6.4%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (6.3%) produkte të industrisë kimike (6.0%) mjetet e transportit, etj”.

Gjithashtu, sipas të dhënave të ASK, Kosova ka importuar në muajin korrik 88.4 milionë euro.

Në listën e vendeve prin Serbia me importin me të lartë me 7.4 për qind, e dyta Maqedonia e Veriut me 4.5 për qind dhe e treta Shqipëria me 4.8 për qind.

“Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin korrik 2022, arritën në 88.4 milion Euro, ose 17.6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.4%), Maqedonia e Veriut (4.5%), dhe Shqipëria (3.8%).”, thuhet në raportin e ASK për muajin korrik 2022.

Edhe gjatë muajit qershor dhe gati çdo muaj Serbia pushton Kosovën me mallra.

Për shkak të importimi të mallrave serbe, në Kosovë, ndaj Qeverisë Kurti tërë kohën është kërkuar vendosja e masës së Reciprociteti.

Reciprocitet ishte premtim i kryeministrit, Albin Kurti para ardhjes në pushtet, mirëpo pas ardhjes, Kurti nuk ka bërë ndonjë lëvizje në këtë aspekt. Reciprociteti është harruar.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka publikuar javë më parë një grafikë të importeve të Kosovës nga vendet e rajonit për vitin 2020 dhe 2021.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shkruar se gjatë vitit 2020 sa ishte kryeministër, Kosova importonte mallra nga Shqipëria më së shumti, kurse në qeverisjen e kryeministrit Kurti në vitin 2021, Kosova ka importuar më së shumti mallra nga Serbia me një rritje prej 76% për një vit.

“Më 2020, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon prej nga Kosova importonte mallra, Maqedonia e Veriut e dyta, ndërsa Serbia e treta. Në vitin 2021, trendi ndryshon. Serbia kthehet në vendin e parë, me rritje prej 76%. Një herë e një kohë, disa i rrotullonin kamionët që importonin mallra nga Serbia. Një herë e një kohë, disa zotoheshin për reciprocitet”, ka treguar Hoti.

Ndryshe, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi më Serbinë nga 1 Janari deri më 31 dhjetor 2021 ka qenë 243 milionë e 466 mijë euro. Shqipëria ka qenë pak më poshtë më shifra, në vlerë prej 238 milionë e 600 mijë euro. Blerjet e mallrave nga Maqedonia e Veriut 176 milionë e 448 mijë euro.

Edhe në vitet tjera, Serbia e pushtoi ngjashëm tregun kosovar me mallrat e saj. Ajo eksportoi 285 milionë e 300 mijë euro në vitin 2014, 368 milionë e 200 mijë në vitin 2015, 382 milionë e 100 mijë në vitin 2016 dhe 387 milionë e 600 mijë në atë 2017.

Në vitin 2020, vlera e tyre në të njëjtin muaj ishte 400 mijë euro, ndërsa 500 mijë euro ishte në 2019-tën.

Kulmi u arrit në vitin 2018. Serbia dërgoi e Kosova mori nga atje produkte në vlerë të hiç më pak se 449 milionë e 900 mijë euro – më së shumti prej 2008-s.

Pushtimit ekonomik që Serbia po i bënte tregut të Kosovës për një dekadë (2008 – 2018), hovin ia ndali taksa prej 10% së pari, e pastaj 100% që Qeveria e Kosovës, atëherë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i vendosi produkteve me origjinë serbe dhe atyre boshnjake në fundnëntorin e 2018-s. Shuma totale e dërgesave të saj nga 449 milionë e 900 mijë euro sa ishte në vitin 2018, ra në vetëm 5 milionë e 578 mijë euro në atë 2019.

Taksa zgjati gati një vit e gjysmë deri më 31 mars të 2020-s. Atë, në këtë datë, e hoqi dhe e zëvendësoi me reciprocitet kryeministri i ri që erdhi në pushtet, Albin Kurti. Kjo i paraqiti shumë telashe gjatë mandatit të tij të parë. Në njërën anë, reciprociteti s’po pranohej assesi nga Serbia, e cila e kushtëzoi rinisjen e dialogut me Kosovën, me heqjen e kësaj mase.

Presioni diplomatik i huaj e bëri të vetën. LDK-ja, që ishte në koalicion me VV-në, e prishi ujdinë dhe krijoi një Qeveri të re me AAK-në dhe NISMA-n.

Në vitin e kaluar, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se Qeveria e Kosovës, veçse ka nisur vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë. Megjithatë ajo shpjegoi në hapa konkret se në ç’mënyrë është planifikuar vendosja e kësaj mase. Mirëpo, deri më tash nuk është bërë asnjë hap konkret për reciprocitetin./Demokracia.com/.

LEXO EDHE:

Kosova për një muaj importoi rreth 500 milionë euro mallra, kryeson Serbia

Të ngjashme