Një numër i madh i politikanëve shqiptarë në Serbi po përballen me akuza për çështje të ndryshme nga gjykatat e këtij vendi. Derisa shqiptarët atje “shkelin ligjin” kur festojnë Ditën e Flamurit Kombëtar, Kosova nuk po arrin ta arrestojë politikanin serb, njëherit kriminelin Milan Radoiçiq. Ky i fundit, ia doli t’u ikë autoriteteve vendore dhe të arratiset në Serbi.
Gjatë ditës së mërkurë në media është raportuar se ish-drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Granit Sadriu është ftuar në një gjykatë serbe me arsyetimin se ka shkelur ligjin derisa ka lëshuar njërën nga sallat e këtij institucioni për manifestimin e Ditës së Flamurit Kombëtar, shkruan Demokracia.com.
Aktakuzë i është ngritur edhe deputetit dhe ish-kryetarit të Bujanovcit, Shaip Kamberi, e për këtë, ka folur edhe ai vet në një deklaratë për media.
“Unë do të përballem në aspektin juridik me këtë aktakuzë, dhe nëse e shoh që akuza është politike do t’i përgjigjem në mënyrë politike”, deklaroi Kamberi.
Por përveç Kamberit, me aktakuza nga gjykatat serbe po përballet edhe kryetarja aktuale e Preshevës Ardita Sinani dhe ish-kryetari Shqipërim Arifi.
Serbia po tenton që t’i maltretojë politikanët shqiptarë atje duke i endur nëpër gjykata vetëm pse festojnë festat e tyre.
Në anën tjetër, në Kosovë, autoritetet nuk arritën që ta arrestojnë kriminelin, njëherit nënkryetar i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Këtij të fundit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, disa muaj më parë iu vendosën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Demokracia.com.
Pas sanksioneve amerikane, për Radoiçiqin nga institucionet e drejtësisë në Kosovë nuk pati urdhërarrest, megjithatë, ai dyshohet për një vepër penale tjetër.
Milan Radoiçiq dyshohet se ka frikësuar dëshmitarin kryesor në aferën “Brezovica”, e për këtë, u urdhërua arrestimi i tij.
Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë nuk ia dolën që ta arrestojnë, derisa Radoçiq u arratis nga Kosova, shkruan Demokracia.com.
Madje, Demokracia.com disa ditë më parë ka raportuar se dyshohet që krimineli serb të jetë ndihmuar nga tre pjesëtarë serbë të policisë së Kosovës, Milosh Dancetoviq, Jovan Jokoviq dhe Goran Milivojeviq.
Disa kohë më parë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte kërkuar masa ndaj Milan Radojçiqit dhe bashkëpunëtorit të tij, Zvonko Veselinoviq.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pritet që shumë shpejt të japë llogari para Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje, lidhur me ikjen e Radoiçiqit nga Kosova./Demokracia.com/