Rreth 200 mijë rusë u zhvendosën në Serbi që në muajin shkurt të vitit 20202, kur Rusia nisi sulmet ndaj Ukrainës.
Ndryshe nga pjesët e tjera të Evropës, rusët nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Serbi dhe janë mirëpritur kryesisht në Beograd duke pasur parasysh lidhjet historike midis dy vendeve të krishtera ortodokse. Por ajo pjesë e emigrantëve, të cilët janë kundër luftës janë përballur me sulme, ngacmime dhe dëbime.
Aktivisti rus kundër luftës Ilya Zernov u plagos nga tre persona pasi tentoi të fshinte një shkrim mural ku shkruhej “Vdekje Ukrainës” në anën e një blloku apartamentesh.
Sulmi e la atë me një daulle veshi të shpuar, por Zernov tha se ishte i lumtur që arriti të mbulonte të paktën pjesërisht muralin, shkruan The Guardian.
“Si rus, ndjeva se ishte përgjegjësia ime të bëja diçka. Grafitet lavdëronin dhunën”, deklaroi ai.
Duke u ndjerë i pasigurt në Beograd, Zernov është larguar nga qyteti për në Berlin. Emigrantët e rinj kanë hapur kafene dhe galeri, kanë regjistruar më shumë se 2000 biznese të reja dhe madje i kanë dhënë një shtysë tregut të pronave. “Ka një betejë grafiti në rrugët e Beogradit”, tha Pyotr Nikitin, themeluesi i Shoqërisë Demokratike Ruse, duke renditur murale të tjera në qytet që përshëndesin trupat ruse në Ukrainë dhe grupin famëkeq mercenar Wagner. “Ne pikturojmë mbi murale pro luftës, por më pas dalin të reja,” vijoi Nikitin. /oranews