Lajme
Serbia kërkon që zgjedhjet e 3 prillit të mbahen në zyrat e OSBE-së dhe BE-së në Kosovë, negociatat po vazhdojnë
Demokracia
12:18 | 19 Shkurt 2022

Share:

Më 3 prill, serbët u drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur deputetët e parlamentit dhe presidentin e tyre.

Serbia po kërkon që këto zgjedhje të mbahen edhe në Kosovë, por kjo deri më tani nga autoritetet e Kosovës është kundërshtuar, përkundër që negociatat rreth gjetjes së një modaliteti për lejimin e mbajtjes së tyre asnjëherë nuk janë ndalur.

Demokracia.com ka mësuar se nga pala kosovare më aktivi në negocimin e modalitetit vazhdon të jetë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Lidhur me këtë çështje, kryeministrin Kurti mbrëmë e ka telefonuar edhe një zyrtar jo fort i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit, përkatësisht këshilltari Derek Chollet.

Demokracia.com nga burime ndërkombëtare ka mësuar se Qeveria Kurti ka treguar gatishmëri që zgjedhjet serbe të lejohen të mbahen edhe në Kosovë, por modaliteti ende nuk është konkretizuar.

“Serbia ka propozuar që zgjedhjet serbe të mbahen në zyre ndërlidhëse të BE-së dhe në zyra të OSBE-së në komunat serbe, nën monitorimin e OSBE-së”, kanë bërë të ditur burimet diplomatike për Demokracia.com.

Megjithatë, jo vetëm pala serbe ka bërë propozime, pasi që Demokracia.com kishte raportuar ekskluzivisht edhe për propozimet që zëvendëskryeministri Bislimi, sipas burimeve brenda ekipit të Lajçakut, ia kishte dorëzuar atij me katër pika kryesore.

Në këto pika ishin përshkruar edhe kriteret që duhet t’iu përmbahej pala serbe, me kusht që të lejohej t’i mbante zgjedhjet edhe në Kosovë.

Këto katër kushte ishin:

  1. Serbisë do t’i lejohet të mbajë zgjedhje në Republikën e Kosovës nëse përdor emrin “Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë” në të gjitha dokumentet dhe vendvotimet. Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohet që t’u japë imunitet dhe privilegje diplomatike qendrave të votimit dhe individëve të përfshirë në organizimin e zgjedhjeve;
  2. Misioni i OSBE-së në Republikën e Kosovës organizon mbajtjen e zgjedhjeve dhe mbledhjen e votave në vendvotime;
  3. Partitë politike dhe politikanët serbë nuk do të lejohen të zhvillojnë fushatë zgjedhore në territorin e Republikës së Kosovës;
  4. Reciprociteti zbatohet për shtetasit e Kosovës që jetojnë në Serbi të bazuar në të njëjtën praktikë.

Në janarin e këtij viti, Serbia nuk u lejua ta organizoi referendumin në Kosovë për ndryshimet e saj kushtetuese.

Ndaj këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës, Beogradi protestoi dhe u ankua te BE-ja dhe SHBA-ja. Përfaqësuesit e këtyre vendeve dhe ambasadorët e Kuintit i shkuan Kurtit në Qeveri, që ta bindin që serbët të lejoheshin të votonin edhe në Kosovë.

Kryeministri Kurti për këtë thirri edhe një seancë të Kuvendit të Kosovës, që nga një pjesë e opozitës u cilësua si veprim për ta shpërndarë përgjegjësinë edhe tek opozita. /Demokracia.com/

Të ngjashme