Lajme
“Serbia drejt njohjes de facto të Kosovës” – Çfarë shkruajnë mediat e rajonit para takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel?
Demokracia
13:25 | 27 Shkurt 2023

Share:

Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili do të mbahet sot në Bruksel, është me interes edhe për mediat rajonale.

Kështu “Oslobogjenje” e Sarajevës në tekstin me titull “A do të japë fryte takimi në Bruksel? – Vuçiq dhe Kurti sot për normalizimin e marrëdhënieve”, merret kryesisht me deklaratat e mëparshme të Kurtit për propozimin franko-gjerman, Asociacioni i komunave me shumicë serbe…

“Përmbajtja e njohur e letrës së Macron, Scholz dhe Meloni: A do ta njohë Vuçiq më në fund Kosovën?”, shkruan portali boshnjak Klix.ba për takimin e sotëm mes Vuçiqit dhe Kurtit.

“Pritet që çështja më e vështirë të jetë krijimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, por të gjithë në Kosovë e kanë të qartë se duhet ta përmbushin këtë obligim pa kushte dhe kanë marrë garanci nga perëndimi se një Asociacion i tillë nuk do të thotë Republika Srpska në Kosovë. Miratimi i marrëveshjes do të thotë njohje de facto e Kosovës dhe marrëveshja nëse pranohet do të jetë rrugë drejt qëllimit final të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan ndër të tjera Klix.ba.

Për takimin e sotëm Vuçiq-Kurti shkruan edhe Indeksi kroat në tekstin “Vuçiq dhe Kurti takohen në Bruksel, do të diskutojnë për planin evropian për Kosovën”.

Ata kujtojnë se Brukseli është nikoqir i vazhdimit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ku liderët e dy palëve pritet të pranojnë planin evropian për Kosovën të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Në tekstin “BE ka mekanizma për të lidhur Serbinë dhe Kosovën”, Slobodna Bosna raporton deklaratën e themelueses së Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, për Hayat TV, e cila shpjegon: “Nuk ka tërheqje pas kësaj… “.

“Shumë po pyesin nëse propozimi evropian do të pranohet. Duke gjykuar nga letra që kanë marrë Kurti dhe Vuçiq nga presidenti i Francës dhe kryeministri italian, nuk do të prisja që nesër të nënshkruhet një marrëveshje”, pohon Kandiq. /Demokracia.com/

Të ngjashme