6.5 miliardë dollarë janë mbledhur si ndihma humanitare të enjten në konferencën ndërkombëtare të donatorëve në Varshavë, ku kanë marrë pjesë liderë të shumë vendeve, duke përfshirë këtu edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, por edhe kryeministren serbe Ana Bërnabiq.
Në konferencën që u mbajt në Varshavë të Polonisë, u kërkua ndihmë urgjente për ukrainasit, ndërkohë që ende po planifikohet rindërtimi i vendit, përcjell Demokraica.com.
Liderë të shumtë botërorë, duke përfshirë këtu edhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kanë marrë pjesë në këtë konferencë, ku janë grumbulluar donacione nga shtete të ndryshme.
Ajo që është parë në këtë konferencë është se pjesëmarrëse ka qenë edhe Serbia, aleatja e madhe e Rusisë, e cila është përfaqësuar nga Ana Bërnabiq.
Kjo e fundit, në fjalimin e saj ka konfirmuar se Serbia do t’i dhurojë tre milionë euro si ndihmë ndaj Ukrainës në këtë kohë kur po përballet me agresionin rus, përcjell Demokracia.com.
“Dua të shfrytëzoj mundësinë të solidarizohem me popullin e Ukrainës… Serbia dënon përdorimin e dhunës në çdo rast, duke votuar edhe kundër agresionit. Serbia ka marrë vendim që të japë çdo lloj ndihme humanitare ndaj Ukrainës… Me këtë rast, dua t’ju them se Serbia do të japë 3 milionë euro si përgjigje humanitare ndaj situatës në Ukrainë”, ka thënë ajo.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po ashtu, ka marrë pjesë në këtë konferencë të donatorëve, ku ka dhuruar 1 milion euro për Ukrainën.
“Në këtë konferencë të donatorëve, Shqipëria po kontribuon me 1 milion euro. E di që kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës dhe të rindërtimit, por ne jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe i jam shumë mirënjohës të dy kryeministrave të Polonisë dhe Suedisë, që na bënë pjesë të kësaj”, tha Rama.
Askush nga Kosova nuk ka marrë pjesë në këtë konferencë, derisa arsyet për këtë ende nuk dihen, pasi që kryeministri Kurti e presidentja Osmani pothuajse çdo paraqitje e kanë shfrytëzuar për t’u lavdëruar me strehimin e disa ukrainasve, përcjell Demokracia.com.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u është drejtuar donatorëve me një mesazh në këtë konferencë, duke thënë se shpreson që Ukraina t’i bashkohet shumë shpejt BE-së.
Ai ka shtuar se ndihma që po merr Ukraina është investim në siguri për të gjithë rajonin.
Ndërkaq, pjesë e kësaj konference kanë qenë edhe kompani të njohura si “Google” dhe “Astra Zeneca”, të cilat po ashtu kanë dhënë para si donacione./Demokracia.com/