Lajme
Serbia amnistoi krimet e luftës, por sa procese gjyqësore po zhvillohen aktualisht në Kosovë?
Demokracia
20:11 | 20 Gusht 2022

Share:

Tri raste janë në procedurën paraparake, e shtatë të tjera në shqyrtimin kryesor gjyqësor. Kështu, aktualisht në Gjykatën Themelore të Prishtinës po zhvillohen 10 procedura për krimet e luftës në Kosovë. Dy raste janë në procedurën e ankesave në Gjykatën e Apelit, e dy të tjera në Gjykatën Supreme. Gazeta Nacionale sjell detaje nga statistikat e gjykimeve për krime të luftës në Kosovë.

Dhjetëra raste, me saktësisht 9 persona të përfshirë po zhvillohen aktualisht në Gjykatën Themelore të Prishtinës për krime të luftës. Shumica prej tyre janë serbë, e 2 shqiptarë. Shtatë raste janë në procedurën e shkallës së parë, ku po dëgjohen dëshmitarë e po shpalosen prova.

Gazeta Nacionale bazuar në të dhënat e siguruara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, sjell të dhënat për gjykimet që po zhvillohen aktualisht.

Në procedurën paraprake janë tri procese të ndryshme: Dushko Arsiq po akuzohet për krime lufte në fshatin Butovc të Prishtinës, ku dyshohet se e ka ndaluar dhe keqtrajtuar një të mitur. Çasllav Joviq dyshohet për krime lufte në Istog dhe fshatin Gjurakoc duke përdorur dhunë ndaj një personi. Dhe, Milorad Gjokoviq dyshohet për krime lufte në Ozdrim të Pejës. Në të trija këto raste, procedurat janë nën hetime, dhe Prokuroria po punon për ngritjen e aktakuzave.

Në shqyrtimin kryesor gjyqësor po zhvillohen këto raste: Gjykimi ndaj Muhamet Alidemajt, që dyshohet për krime lufte ndaj popullatës civile në Izbicë të Skënderajt. Svetomir Baçeviq që po akuzohet për krime lufte në Bellopojë të Pejës, më saktësisht dyshohet se ka marrë peng një viktimë. Procesi ndaj Remzi Shalës është në rigjykim, ku për dy vite janë zhvilluar 32 seanca me 24 dëshmitarë që u dëgjuan. Shala akuzohet për krime lufte në Duhël të Suharekës.

Tri procese po zhvillohen ndaj të akuzuarit për krime lufte Zoran Vukotiq. Ai po akuzohet për krime lufte në Burgun e Semrekonicës, në fshatin Studime të Vushtrrisë, dhe në për rastin tjetër për krime lufte në qytetin e Vushtrrisë.

Në shqyrtimin kryesor është edhe rigjkyimi ndaj Sylejman Selimit për rastin Drenica 1. Që nga koha kur është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme në vitin 2018, deri në qershor 2022, asnjë seancë gjyqësore nuk ishte zhvilluar.

Në fazën e ankesave në Gjykatën e Apelit janë dy procese: Goran Stanishiq që ishte dënuar me 20 vite burgim për krime lufte në Sllovi të Lipjanit. Dhe gjithashtu, në Apel është edhe ankesa nga avokati i Zoran Vukotiq, që ishte dënuar me 10 vjet burgim për akuzat e dhunimit të luftës.

Kurse, në shkallën e tretë të ankesave në Gjykatën Supreme kishin qenë rastet ndaj Zlatan Kërstiq, ku ishte vërtetuar dënimin prej 12 vjetësh burgim. Njëjtë, Supremja ia kishte konfirmuar dënimin për krime lufte Zllatan Kërstiqit prej 14 vjet e gjashtë muaj burgim në lidhje me krimet në Nerodime të Epërme, kurse Destan Shabanaj ishte liruar nga akuzar për përodhosje dhe trajtim nënçmues të viktimave.

Problemet në gjykimin e krimeve të luftës

Në fakt, në Kosovë 23 vjet pas luftës, janë të akuzuar mbi 200 persona për krime lufte, kurse janë dënuar mbi 70 prej tyre. Në këto të dhëna janë të përfshirë proceset gjyqësore në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Tribunalin për ish-Jugosllavi dhe Gjykatën Speciale.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, shprehet për Nacionalen se sfida kryesore në trajtimin e këtyre rasteve, është kalimi i kohës.

“Tani dëshmitarët të cilat kanë dhënë dëshmi të themi në misionet ndërkombëtare në fazat hetimore në qoftë se ata kanë vdekur, dëshmia e tyre nuk e ka peshën e madhe pasi që mbrojtja e të pandehurit nuk ka pasur rastin që ta ballafaqon kredibilitetin e dëshmitarëve të cilat tanimë kanë vdekur. Trupi gjykues aktgjykimin e bazon në provat të cilat administrohet drejtpërdrejtë në shqyrtimin kryesor. Në proceset gjyqësore të krimeve të luftës një prej provave kryesore kundër të pandehurve është dëshmia e dëshmitarit”, ka thënë Alija.

Fondi për të Drejtën Humanitare në raportin vjetor kishte dhënë edhe disa rekomandime.

Alija për Gjykatën Speciale: Redaktime të shumta dhe vonesa në përkthim - KOHA.net

“Organizimi i trajnimeve të rregullta dhe përmbajtjesore për gjyqtarë, prokurorë dhe stafin mbështetës që merren me krimet e luftës; Krijimi i bashkëpunimit afatgjatë me gjyqësorin ndërkombëtarë dhe rajonal me qëllim të shkëmbimit të përvojave në fushën e krimeve të luftës; Shqyrtimi i mundësisë së regjistrimit të seancave gjyqësore për krime të luftës me audio dhe video incizim. Krijimi i një data baze elektronike të unifikuar me të gjitha proceset gjyqësore të përfunduara për krimet e luftës në Kosovë; Nënshkrimi i protokolleve të bashkëpunimit mes prokurorisë së Republikës së Kosovës dhe Prokurorisë së Republikës së Serbisë, me qëllim të shkëmbimit të informatave në fushën e krimeve të luftës”, ka thënë Alija.

Kosova ka miratuar edhe ligjin për gjykim në mungesë, por deri më tash nuk ka nisur ndonjë rast.

Më shumë shqiptarë se serbë të dënuar

Në fakt, bazuar në të dhënat zyrtare, në Kosovë raportohen më shumë të dënuar për krime lufte shqiptarë se serbë. Kjo qoftë nga misionet ndërkombëtare apo ato vendore.

Nga tetori 1999 deri në kohën aktuale, janë 35 shqiptarë të dënuar për krime lufte, përderisa numri i serbëve nuk e kalon dhjetëshin. I dënuar është edhe një malazez.

Më poshtë, Nacionale sjell hetimet e misioneve ndërkombëtare për krime të luftës:

UNMIK 2000 – 2008:

18 aktakuza ndaj shqiptarëve

3 ndaj serbëve

1 ndaj malazezëve

EULEX 2009 – 2018:

Të akuzuar 39 shqiptarë

11 serbë

1 malazez

Aktualisht nga Gjykata Speciale gjithashtu po gjykohen shqiptarë që ishin udhëheqës të UÇK-së. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Pjetër Shala, Salih Mustafa, Hysni Gucati e Nasim Haradinajn, janë në paraburgim tash e gati 2 vjet.

Të ngjashme