Në veriun e Kosovës, më saktësisht në pikën kufitare në Jarinje, po vazhdojnë të qëndrojnë forca të shumta të Njësisë Speciale të Kosovës, pas reciprocitetit me targat serbe.
Derisa po vazhdon dita e katërt e bllokadës, shefi i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka shprehur frikën se situata mund të kthehet në diçka më të madhe, përcjell Demokracia.com.
“Falë lëvizjeve të njëanshme të dhunshme nga Prishtina, ne jemi në një situatë ku kriza, e shkaktuar nga kryeministri i Institucioneve të Përkohshme të Prishtinës, Albin Kurti, kërcënon të kthehet në diçka shumë më tepër”, tha ai mëngjesin e së enjtes.
Petkoviç mes tjerash ka shtuar se situata duhet të rikthehet ashtu siç ka qenë para 20 shtatorit, dhe vetëm pas këtij veprimi, do të rifillojnë bisedimet në Bruksel.
Ndërkohë, të enjten ka nisur dita e katërt e bllokimit të rrugëve kryesore në Jarinjë dhe Bërnjak, pas një nate tjetër të qetë që kaloi pa incidente, përcjell Demokracia.com.
Serbët lokalë kanë qëndruar gjatë gjithë natës në të dy pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës, pavarësisht shiut dhe temperaturave të ulëta.
Kolona është e gjatë rreth 3 kilometra e gjysmë, derisa sipas raportimeve Kosovo Online gjatë natës së mbrëmshme është shtuar numri i kamionëve dhe mjeteve të tjera të rënda me të cilat është bllokuar rruga.
Në Jarinjë dhe Bërnjak janë vendosur edhe forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, por që deri tani nuk ka pasur asnjë incident përpos provokimeve të herëpashershme me thirrje e këngë nacionaliste nga serbët lokalë që po protestojnë.
Qeveria e Kosovës mëngjesin e të hënës nisi zbatimin e reciprocitetit për targa me Serbinë duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës.
Kjo e tensionoi shumë situatën në veri të vendit ku qytetarët serbë në shenjë proteste bllokuan rrugët në pikëkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinjë./Demokracia.com/