Banorë të kësaj komune kanë mirëpritur vendimin për lëvizje të lirë nga 1 janari. Shumë prej tyre thanë se tashmë posedojnë pasaportën e Kosovës.
“Është lehtësuar, tash do të udhëtoj më lehtë. Nuk kemi nevojë të presim për viza. Presim të shijojmë eksperienca të ndryshme në jetë. Jam pajisur me pasaportë të Kosovës qysh kur isha 18-vjeçare” , tha Ema Laskoviq, qytetare.
Një qytetarë tjerët ka thënë se ka letërnjoftimin e Kosovës prej që ekziton dhe se do ta marrë edhe pasaportën nëse ka nevojë.
“Vendimi është i mirë, populli duhet të udhëtojë lirshëm, nuk duhet të bazohemi në probleme politike. Është e rëndësishme të udhëtojnë njerëzit lirshëm pavarësisht a bëhet fjalë për Kosovën, Serbinë apo Malin e Zi”, ka theksuar një tjetër qytetar.
Gazmend Dushi, zyrtar për komunikim me publikun në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, u shpreh se interesimi i qytetarëve serbë për të marrë informacion rreth liberalizimit të vizave është i madh.
“Siç po shihet ka interesim të qytetarëve me marrë informacion rreth liberalizimit të vizave dhe asaj çfarë do të ndodhë pas datës 1 janar 2024. Kryesisht po shpërndajmë broshura në gjuhët serbe dhe angleze”, ka theksuar Dushi.
Furgoni për informimin e qytetarëve rreth lëvizjes pa viza të hënën vazhdoi edhe në Komunën e Zveçanit. Edhe aty qytetarët e mirëpritën vendimin.
Fushata informuese në komunat veriore do të vazhdojë të martën, ku furgoni do të ndalet në Zubin-Potok dhe Leposaviq.
Nora Fetoshi, zyrtare për komunikim me publikun në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i ka thënë KOHËS se është dyfishuar numri i qytetarëve në katër komunat veriore për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës pas vendimit për liberalizimin e vizave.
Të dhënat e siguruara nga KOHA thonë se nga 1 janari 2023 deri më tash, në Komunën e Leposaviqit kanë aplikuar 557 qytetarë për pasaportë, në Zubin-Potok 779, në Zveçan 586 dhe në Mitrovicë të Veriut 3.879.