Lajme
Serbët e quajnë ‘buldozer’ Christopher Hillin, thonë ai në Serbi është emëruar për shkak të Kosovës dhe BeH
Demokracia
23:38 | 01 Prill 2022

Share:

Ambasadori i shumëpritur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi, diplomati Christopher Hill, ia ka dorëzuar të enjten letrat kredenciale presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke filluar kështu zyrtarisht shërbimin e tij diplomatik në kryeqytetin serb.

Kur e bëri betimin, ai premtoi se “valixhja e tij nuk do të rëndohet me të kaluarën”, dhe pasi i përket plejadës së “diplomatëve të buldozerë” dhe pezulloi pensionin për të shërbyer në Beograd, pyetja është se çfarë Christopher Hill sjell në Serbi dhe çfarë vërtetë do të ketë në bagazhin e tij?, shkruan gazete serbe “Blic” e afërt me pushtetin e Vuçiqit, transmeton Demokracia.com.

Përshpejtimi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe qetësimi i krizës në Bosnjë do të jenë detyrat e tij kryesore në letër, por ai do të ketë edhe një detyrë tjetër të veçantë, veçanërisht aktuale që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë, dhe ajo është hulumtimi i terrenit dhe shkallës së ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Serbi dhe në rajon, vlerësojnë analistët serbë për “Blic”.

Kështu Hill praktikisht iu rikthye “vendit të krimit”, sepse pikërisht në kryeqytetin serb e nisi karrierën diplomatike.

Për dallim nga paraardhësi i tij, Anthony Godfrey, Hill mund të mburret edhe me njohjen personale dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me presidentin amerikan Joe Biden, me ftesën e të cilit hoqi pluhurin nga pasaporta e tij diplomatike.

“E gjithë kjo është një sinjal se Shtetet e Bashkuara kanë një plan ambicioz për rajonin dhe se rrethanat aktuale tregojnë se në Serbi është në një mision të veçantë: në vlugun e pushtimit rus të Ukrainës, vazhdon presioni që Serbia të përcaktohet ndaj Moskës dhe të vendos sanksione. Dialogu Kosovë-Serbi për muaj të tërë është në rrugë pa krye, dhe, siç mund të dëgjohet në qarqet diplomatike, Perëndimi nuk është i kënaqur me lidhjet e ngushta ndërmjet Serbisë dhe Republikës Serbe”, shkruan gazeta më e madhe serbe.

Këto janë vetëm disa nga temat me të cilat Hill mund të merret, e kur bëri betimin ai bëri një premtim personal: “valixhja ime nuk do të rëndohet me të kaluarën”. Pasoi edhe vlerësimi se “nuk ka dyshim se këto janë kohë të vështira”.

“Por unë besoj se dy vendet tona mund t’i mirëpresin së bashku me një frymë dhe ton konstruktiv dhe me vetëdijen se ne kemi shumë interesa të përbashkëta”, porositi Hill.

Çfarë i sjell Serbisë në këto kohë të vështira njeriu special i Bidenit? Suzana Grubjeshiq nga Qendra për Politikë të Jashtme thotë se Hill sjell një rol më aktiv të SHBA-së.

“Pasi e filloi karrierën e tij diplomatike në Beograd, fakti që ai po kthehet pas tre dekadash flet për rëndësinë që administrata Biden i kushton Serbisë si shtet qendror i Ballkanit Perëndimor, me të cilin Shtetet e Bashkuara planifikojnë të krijojnë një partneritet më të ngushtë në të ardhmen”, tha ajo.

Grubjeshiq gjithashtu thekson se Serbia është kyçe për zgjidhjen e pikave të krizës në rajon – çështjen e Kosovës dhe funksionalitetin e BeH, për të cilat, dhe veçanërisht për Kosovën, nuk ka pajtim me Shtetet e Bashkuara.

“Në kohën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Shtetet e Bashkuara mbështetën qëndrimin parimor të Serbisë të shprehur përmes votimit të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ambasadorit Hill nuk duhet t’i tregohet historia apo ngjarjet e së kaluarës në të cilat ai ka marrë pjesë, prandaj duhet pritur që ai të fokusohet në të ardhmen e Serbisë dhe rajonit, që do të thotë përshpejtim i integrimit evropian dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe iniciativave si Ballkani i Hapur, të cilën Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm”, vlerëson Grubjeshiq.

Pyetja është edhe çfarë detyre ka marr ai nga qeveria e tij, ka thënë për “Blic” ish-diplomati Sreçko Gjukiq. Ai shton se pritshmëritë janë që Hill të jetë aktive dhe të punojë në problemet që e rëndojnë rajonin.

“Kjo në radhë të parë është çështja e Kosovës. Në seancat dëgjimore përpara Kongresit, ai lëvizi brenda kornizës standarde të një ambasadori. Pas kësaj, duhet të ketë detyra të veçanta që ai ka marrë nga kreu i Shteteve të Bashkuara dhe kreu i Departamentit të Shtetit dhe që përshtaten me tablonë që Shtetet e Bashkuara duan të krijojnë. Ai i përket plejadës së diplomatëve buldozerë të udhëhequr nga ambasadori Holbrooke. Mirëpo, kohët kanë ndryshuar dhe me to edhe Hill, dhe ai do të duhet të fillojë nga e para”, thotë Gjukiq.

Prandaj, shtoi ai, metodat diplomatike do t’i përshtat me rrethanat e reja.

“Unë besoj se është në interesin e ambasadorit Hill që ndoshta të japë një kontribut kyç për një zgjidhje paqësore dhe të bazuar në interes të ndërsjellë të paktën të një pjese të problemit”, thekson Gjukiq.

“Po vjen artileria e rëndë”

Ish-diplomati Ivo Viskoviq vlerëson gjithashtu se “artileria e rëndë e diplomacisë amerikane” po vjen, por se nuk është realiste të pritet që vërtetë të ndodhin ndryshime rrënjësore në fushat e problemeve me të cilat ai do të merret.

“Pres që ai të jetë i vetëdijshëm për këtë që në fillim, që të mos ushtrojë presione që do të ishin vërtet kundërproduktive, domethënë të mos insistojë që disa gjëra të bëhen, siç themi ne, ‘mbi gju’. Respektivisht se do të jetë më praktik sesa duket në shikim të parë. Sepse ai ka një reputacion të një diplomati shumë depërtues, por është një njeri realist dhe që mund të vlerësojë se çfarë është politikisht e mundur në një moment të caktuar dhe çfarë është optimale. Nuk pres prej tij vrazhdësi, vërshime në opinion…, por sigurisht që nuk do të jetë e lehtë me të. Ai është një njeri që ka qëndrim edhe për të cilin dihet se ka një ndikim shumë të madh në Departamentin e Shtetit, madje edhe përtej kësaj, dhe bashkëbiseduesit e tij këtu do ta kenë parasysh këtë”, shprehet Viskoviq për N1.

Hill njihet si mik i madh i Kosovës dhe kontribuues në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Ardhja e tij në Serbi pritet t’i jap dinamikë të re raporteve Kosovë-Serbi dhe zgjidhjes përfundimtare të ngërçit së njohjes së ndërsjellë. /Demokracia.com/

Të ngjashme