Kryendeshja e sotme në Superligën e Kosovës u zhvillua mes Prishtinës dhe Llapit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të në elitën e futbollit kosovar, kryeqytetasit triumfuan me rezultat të pastër, 2:0, shkruan Demokracia.com.
Pas ndeshjes, klubi llapjan aludoi se është dëmtuar nga gjyqtari i ndeshjes, Mervan Bejtullahu për mos-akordimin e një penalltie.
https://www.facebook.com/sportineklankosova/videos/1626201160901149
Saktësisht, Llapi kërkoi penallti në rastin e ndërhyrjes së Lorik Boshnjakut në Kastriot Selmanin në zonën e rrezikshme, moment i cili ishte në pjesën e parë.
Demokracia.com ka kontaktuar me Selmanin pas ndeshjes, derisa fillimisht thotë se kjo “humbje dhemb”.
“Është një humbje që dhemb padyshim sepse e humbën nga gabimet tona”, ka thënë Kastriot Selmani.
Në lidhje me rastin e penalltisë, anëtari i Kosovës U21 thotë se ishte “penallti klasike”.
“Ishte një penallti klasike dhe vetë gjyqtari ishte afër, madje mendoj që kjo penallti ndikoi sepse nëse do të akordohej, ndeshja do të shkonte ndryshe”, deklaroi Selmani.
Pas 23 javësh, Llapi renditet në vendin e shtatë në tabelë me 26 pikë të tubuara. /Demokracia.com