Lajme
Selmanaj e pyet Kurtin: A je serbofil? Kosova po rrezikon federalizimin
Demokracia
17:17 | 23 Mars 2023

Share:

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka folur po ashtu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës për marrëveshjen e Ohrit.

Ai u shpreh se Serbia po përfitonte nga marrëveshja në fjalë, dhe se kryeministri nuk e dinte se çka do të bënte me situatën në veri të vendit.

“I kemi lënë qytetarët serbë në mëshirën e bandave kriminale.” , Selmanaj, duke deklaruar edhe bindjen se nuk do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Ai foli edhe për Nenin 7 të Propozimit Evropian që flet për vetëmenaxhimin.

“Tani, kryeministri mbrëmë e tha që do të ketë Asociacion e thotë sot diçka tjetër. Por, as z. Blinken, as z. Escobar, as z. Borrell, as z. Lajçak, nuk po e përmendin fjalën vetëmenaxhim. Po e përmendin Asociacion.”, tha ai.

Për këtë çështje, deputeti iu referua një deklarate të thënë mbrëmë në RTK e që ishte komentuar me të madhe.

“Asnjëri nga ta nuk po flet për vetëmenaxhim. Doli ambasadori Hovenier nga takimi me ju, dhe tha se Asociacioni ka me u ba. Është mirë të na thuash se çka nënkupton ti me këtë vetëmenaxhim. Në cilin dollap do ta paketosh? Çka është formalizimi i statusit të Kishës? Cili ligj do të ndryshohet?”, u shpreh Selmanaj në fjalën e tij.

Ai tha se çështja në fjalë mund të rrezikonte vendin edhe nga federalizimi, që mund të çonte pastaj edhe në cenimin e sovranitetit dhe demokracisë së vendit.

Selmanaj e pyeti Kurtin nëse është serbofil, duke ia kujtuar një deklaratë të vjetër të Kurtit, i cili argumentonte se vetëm ata që janë serbofilë mund të themelojnë Zajednicën.

Të ngjashme