Lajme
Sekuestrohet inceneratori i Tiranës, SPAK: Zoto e Mërtiri përfituan 409 milionë lekë
Demokracia
13:53 | 01 Gusht 2023

Share:

Prokuroria e Posaçme (SPAK) këtë të martë të 1 gushtit ka bërë me dije se është pranuar kërkesa për vënien e sekuestros preventive ndaj kompanisë së inceneratorëve në Tiranë.

SPAK thotë se kompania e inceneratorëve “Integrated Energy B.V. S.P.V.” kishte si pronarë “de facto” shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët ndodhen në arrati.

Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” dhe shoqërinë mëmë në Holandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.

Më pas shkruhet se Zoto, në bashkëpunim me Mërtirin kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409 milionë e 42 mijë lekë.

Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij.

Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë ata të dy.

Po ashtu, është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k.

Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar përfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 milion euro e ndodhur në qytetin e Durrësit, e cila është sekuestruar.

Ku ndodhet Zoto, Mërtiri dhe Gugallja?

Interpol Tirana ka bërë me dije se ka lokalizuar në Austri biznesmenët e inceneratorëve të shpallur në kërkim, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja.

Ndërsa sa i takon biznesmenit tjetër, Klodian Zoto, Interpol tha se ende nuk ka rënë në gjurmët e tij.

Deri më tani për Mërtirin dhe Gugallen është dorëzuar edhe një kërkesë për ekstradim.

Vetë SPAK pati konfirmuar për Albanian Post se në Gjykatën e Vjenës, në Austri, është duke u kryer procedura e ekstradimit të shtetases Stela Gugallja.

Kjo në zbatim nga të urdhrit të kërkimit ndërkombëtar për këtë shtetase.

Gugallja ishte e shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve.

Në janar të vitit të kaluar, biznesmenët Zoto dhe Gugallja u shpallën në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit.

Kjo, pas skadimit të afatit 30-ditor për arrestimin e tyre.

Urdhër arrestet për ndalimin e tyre, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i lëshoi në muajin dhjetor.

Sipas SPAK-ut, Gugallja dhe Klodian Zoto, si pronarë të dy kompanive, “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive.

Kjo, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Të dy biznesmenët përfshiheshin në pikën e tretë dhe të fundit të aktakuzës ndaj ish-ministrit të arrestuar, Lefter Koka.

Ky i fundit ishte lidhur me dy kompanitë e biznesmenëve, që ishin pjesë e tenderimit.

Sipas njoftimit, Koka kishte kërkuar dhe më pas kishte pranuar nga dy shoqëritë tregtare, përfitime të parregullta financiare.

Për këtë ishte përdorur, sipas SPAK, një skemë fiktive për kryerjen e punimeve në shoqëritë konçensionare.

Ndaj kompanive sakaq, ka një sekuestro preventive të pasurive.

Të ngjashme