Lajme
Sekretari milioner i LVV-së shkel ligjin dhe nuk jep dorëheqje nga KQZ-ja, presidentja Osmani nuk guxon ta shkarkojë
Demokracia
19:17 | 10 Nëntor 2022

Share:

Milioneri i Vetëvendosjes, Alim Rama, i cili së fundmi mori pozitën e Sekretarit Organizativ të kësaj partie, po vazhdon të mbajë dy pozita të rëndësishme, ndonëse ligji ia ndalon një gjë të tillë.

Rama edhe tri javë pasi e mori detyrën e Sekretarit Organizativ të LVV-së, po vazhdon ta mbajë pozitën e anëtarit të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Edhe në mbledhjen e sotme, ku KQZ e bëri zëvendësimin e deputetëve serbë pas dorëheqjes së Listës Serbe nga Kuvendi, Alim Rama ishte aty, shkruan Demokracia.com.

Sipas nenit 61.8 (e) të Ligjit për Zgjedhje në Kosovë, personi nuk ka të drejtë të jetë anëtar i KQZ-së nëse është zotërues i një posti të lartë publik ose i një posti të lartë në parti politike.

Demokracia.com mëson se Rama pavarësisht se është zgjedhur në këtë post të lartë në partinë Vetëvendosje, ai po vazhdon t’i kryejë detyrat e anëtarit të KQZ-së dhe se i njëjti nuk ka ofruar dorëheqje nga kjo detyrë.

Megjithatë, presidentja Vjosa Osmani është ajo që duhet të reagojë për ta mbrojtur integritetin e KQZ-së.

Osmani nuk ka marrë asnjë vendim deri më tani për çështjen e milionerit të KQZ-së.

Demokracia.com ka dërguar pyetje në Presidencë, por si zakonisht nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ky institucion, që njihet për jotransparencën e tij.

Për këtë ka shkruar edhe Eugen Cakolli nga KDI.

Ai ka thënë se Rama pas pas zgjedhjes si sekretar organizativ i LVV-së duhet ta lirojë mandatin.

Presidentja në anën tjetër duhet që sa më parë t’i iniciojë procedurat ligjore për zëvendësim, që janë të qarta dhe kanë afate strikte.

“Emërimi apo zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së nëpër pozita të larta në parti politike, paraqesin rrethanë ligjore për përfundimin e mandatit të tyre. Pozitë e lartë është cilido funksion vendimmarrës brenda strukturës organizative të partive, që përcaktohen me statutet respektive. Prandaj anëtari i KQZ-së, Alim Rama, pas zgjedhjes si sekretar organizatv i LVV-së, duhet t’a lirojë mandatin. Presidentja në anën tjetër duhet që sa më parë t’i iniciojë procedurat ligjore për zëvendësim – që janë të qarta dhe kanë afate strikte”, ka thënë Cakolli. /Demokracia.com/

Të ngjashme