Sport
Sejdiu: Kosova fitoi me meritë ndaj Gjeorgjisë, por me Greqinë domosdo duhet përmirësuar në këtë pikë
Demokracia
13:50 | 03 Shtator 2021

Share:

Kosova dje mori një fitore të madhe ndaj Gjeorgjisë në kuadër të ndeshjes së tretë në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Dardanët triumfuan me rezultat 1:0, me golin e shënuar nga Vedat Muriqi, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, ajo fitore tash duhet lënë pas shpine dhe të mendohet për dy ndeshjet e radhës që i zhvillojmë në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet me Greqinë me 5 shtator dhe me 8 shtator me Spanjën.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu në një bisedë për Demokracia.com ka analizuar ndeshjen ndaj Gjeorgjisë por edhe pritshmëritë për dy ndeshjet e radhës.

“Ishte një fitore me vlera në një moment shumë të rëndësishëm. Kosova bëri një paraqitje shumë solide, me një lojë shumë të disiplinuar në të dy fazat, e ku më së shumti më bëri përshtypje pjekuria me të cilën e filloi, menaxhoi dhe e përfundoi takimin, gjë që në të kaluarën i ka munguar”, ka thënë fillimisht tekniku mitrovicas duke shtuar se Kosova duhet të përmirësohet në finalizimin e aksioneve pasi mbrëmë kishte raste por i humbi shumë lehtë.

“Pa hy në detaje ishte një fitore e merituar, ku kemi mundur të shënojmë edhe më shumë gola, por mungoi konkretizimi, gjë që mund të themi se në këtë aspekt duhet të përmirësohemi, në mënyrë që të jemi edhe me konkret”, vlerësoi Sejdiu.

Sa i përket ndeshjeve të radhës me Greqinë e Spanjën, ish-trajneri i shumë skuadrave kosovare beson se kjo fitore e ka rritur besimin.

“Sigurisht që fitorja rrit besimin, dhe luan rol të rëndësishëm për takimet e radhës, ku me ndihmën e shikuesve kemi gjasa reale të kalojmë Greqinë, e sa i përket Spanjës është ndeshje e një niveli tjetër dhe shumë varet epilogu me Greqinë në performancën ndaj Spanjës”, ka përfunduar Gani Sejdiu. /Demokracia.com

ATHENS, GREECE – OCTOBER 14: Dimitris Kourbelis of Greece and Herolind Shala of Kosovo during the UEFA Nations League group stage match between Greece and Kosovo at OACA Spyros Louis on October 14, 2020 in Athens, Greece. (Photo by MB Media/Getty Images)

 

Të ngjashme