Trajneri i mirënjohur kosovar Gani Sejdiu, ka komentuar ndeshjet e Kupës së Kosovës të zhvilluara këtë mesjavë e të cilat ashtu siç është pritur sollën ballafaqime interesante e ku nuk munguan as befasitë, shkruan Demokracia.com.
Padyshim eliminimi i Dritës e Ballkanit ishte i dhimbshëm, por jo edhe i papritur pasi ato përballë kishin kundërshtarë të fuqishëm si Prishtina e Llapi, derisa eliminimi i Gjilanit ka qenë i papritshëm dhe bukur zhgënjyes.
Trajneri Sejdiu, në një bisedë për Demokracia.com, ka thënë se situata nuk guxon të dalë nga kontrolli tek Gjilani. Sipas tij humbja në Kupë është e dhimbshme, por Gjilani ka një trajner shumë të mirë si Bylbyl Sokoli dhe ende është në garë për vendin e dytë që dërgon në Europë.
“Ndeshjet e Kupës nuk i kam parë të gjitha, përveç ndeshjes Prishtina – Drita e cila prodhoi ritëm, intensitet dhe agresivitet, por jo edhe kualitet, sepse të dyja ekipet ishin në nivel në fazën mbrojtëse kurse në atë sulmuese asnjeri ekip nuk kishte guxim për të ndërtuar.
Pra ishin të përqendruar në lojë me topa të gjatë e që është më sigurt që kur të gabosh të mos ndëshkohesh, d.m.th. nuk pash kreativitet dhe fantazi te asnjëra ekip e sidomos te Drita e cila na ka mësuar në të kaluarën me lojë të bukur”, ka thënë Sejdiu, duke shtuar se Llapi ka bërë një hap shumë të rëndësishëm dhe me meritë ka kaluar tutje edhe pse loja ishte e nivelizuar.
“Sa i përket takimeve tjera rezultatet kanë qenë të pritshme përveç humbjes se Gjilanit e cila realisht nuk është pritur, sepse Kupa ka qenë objektivi kryesor i tyre për Europë.
Duhet pranuar që takimet e Kupës, jo vetëm tek ne por edhe në ligat europiane sjellin befasi, e kur këtë ja shtojmë edhe një fakt se në këtë sezon skuadrat e Ligës së Parë janë në një nivel krejtësisht tjetër nga e kaluara dhe shumë afër atyre të Superligës, atëherë mund të ndodhin edhe bafasi”, vlerësoi tekniku mitrovicas, i cili nuk beson se kjo disfatë do të ndikojë tek Gjilani në garat kampionate.
“Gjilani me siguri është i zhgënjyer por nuk besoj që do të trazohen sepse edhe në të kaluarën ka ditë të rikuperohen nga këso situata, e sidomos tash kur në krye është Bylbyl Sokoli. Ata ende kanë objektiv dhe duhet të luftojnë për vendin e dytë”, ka përfunduar Gani Sejdiu. /Demokracia.com