Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, në një përgjigje ka thënë se në momentin që do të kenë ftesë nga kryesuesi Avni Dehari për vazhdim të seancës do t’i përgjigjen asaj “ashtu siç e do rregulli dhe rendi”.
“Sapo të kemi ftesën nga kryesuesi i seancës ne sigurisht se do t’i përgjigjemi ashtu siç e do rregulli dhe rendi”, tha Manxhuka.
Sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur letrës së Deharit pas ndërprerjes së seancës konstituive që nisi dje.
Në përgjigje thuhet se vazhdimi i seancës duhet të thirret brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj, që i bie më së largu deri nesër paraditë.
Akoma pa dhënë një përgjigje presidentja, LDK ka thënë se do të jenë në sallën e kuvendit nesër në ora 10:00. Abdixhiku ka kërkuar sërish dorëheqjen e anëtarëve të qeverisë që kanë fituar mandat të deputetit.
Ndërkaq nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, ka thënë për Express se e kanë “obligim mbi bazën e rregullores së punës” që të jenë nesër në kuvend.
Kur u pyet nëse ende e kanë kusht dhënien formale të dorëheqjeve të anëtarëve të qeverisë, Çitaku tha se “asgjë nuk ka ndryshuar”.