Lajme
“Seanca do t’ua prishte disponimin fëmijëve”: Arsyetimi për t’u ‘zhgrehë në vaj’ i Ardian Golës për mospjesëmarrje në seancë
Demokracia
15:09 | 04 Shtator 2023

Share:

Ardian Golës si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim i ra barra e arsyetimit të mospjesëmarrjes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për të diskutuar për rrëmujën e krijuar me çështjen e librave, ku është hequr dorë nga praktika e kahershme dhe funskionale e furnizimit të shkollave me tekste, për t’ua kaluar një obligim ligjor të shtetit vetë prindërve si barrë për sigurim të librave për fëmijët e tyre.

Por, Kryetari Gola, pati “arsye” pse nuk morrën pjesë.

Kjo seancë e thirrur nga opozita, tha ai, “si pasojë do ta kishte prishjen e disponimit të fëmijëve në fillim të një viti të mbarë shkollor”. Por, edhe sepse duke qenë që opozita e “cilësoi abritrarisht si proces të dështuar” ai tha se “vetë pjesëmarrja jonë në një seancë ku cilësohet si dështim është përligje e dështimit dhe ne kemi refuzuar a prori që të marrin pjesë në këso seancash”.

“Jo seanca të cilat vlerësohen përmes cilësimeve arbitrare dhe me pasojë prishjen e disponimit të fëmijve në një fillim të një viti të mbarë shkollor. Kështu që kjo është arsyeja që ne si GP kemi vendosur të mos marrim pjesë në këtë seancë”, tha Ardian Gola.

Sociollogu Gola, në tentim për të arsyetuar të pamundshmen – stërmundimin e prindërve për të blerë tekste, rradhët e gjata nëpër librari, endjet nga disa herë të prindërve për të gjetur libra që mungojnë, s’janë botuar, e dhjetëra probleme tjera – thotë se këto probleme kanë qenë edhe në të kaluarën. Po, po. Gola e thotë këtë.

“Pak a shumë edhe sikurse vitet e kaluara kemi pasur vonesë në sigurimin e teksteve shkollore. Por, meqë ka qenë kështu çdo vit, ne ende nuk e dimë saktë nëse kjo vonesë është për shkak të vendimit të ndërmarrë nga Qeveria apo për shkaqet të cilat kanë qenë evidente edhe në të kaluarën. Sepse është në vitet e kaluara kur ka pasur negocim të çmimit prap kemi pasur vonesa të teksteve”, tha deputeti.

“Ne duhet të presim epilogun e kësaj. Si vendim ka ardhur pikërisht si rezultat i nevojës për të shmangur abuzimet, keqmenaxhimet, mungesën e planifikimeve të qëndrueshme në të kaluarën. Të gjitha këto të evidentuara qartazi nga organet e pavarura, auditimet. Do të thotë që ne duhet të presim zhvillimin e këtij procesi deri në fund. Asgjë të pazakontë përveç një vendimi që synon me transformu një praktikë me plot të meta korruptive në të kaluarën, në një praktikë e cila mobilizon edhe prindërit përmes një subvencionimi që të blejnë tesktet e tyre”, tha mes tjerash ai.

Të ngjashme