Lajme
S’e takoi madje as zëvendësen e Bidenit, por LVV-ja lavdëron vizitën 16 ditore të Kurtit në SHBA
Demokracia
22:24 | 24 Maj 2022

Share:

Lëvizja Vetëvendosje e ka lavdëruar vizitën e gjatë të liderit të saj, kryeministrit Albin Kurti, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse gjatë kësaj vizite Kurti nuk arriti të futej në Shtëpinë e Bardhë, kjo nuk i bëri fare përshtypje partisë së Kurtit.

Kurti nuk arriti të takojë presidentin Joe Biden. Madje, as zëvendëspresidenten Kamala Harris për të cilën shpresoi shumë.

Në një njoftim për media, LVV-ja thotë se Kurti ka takuar disa zyrtarë të lartë të administratës Biden, edhe pse Kurti ishte takuar vetëm me këshilltarin për siguri kombëtare, Jack Sullivan, afër ca shkallëve.

Kurti e ka takuar shkurt edhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ky është njoftimi i Vetëvendosjes:

Kryeministri Kurti para dy ditësh përmbylli vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila në theks kishte dy qëllime kryesore: investimet nga ShBA-të në Kosovë dhe siguri për Kosovën.

Në shërbim të këtyre dy synimeve, Kryeministri Kurti, zhvilloi takime e vizita nëpër kompanitë më të njohura botërore të sektorit të Teknologjisë Informative, duke i ftuar ato që në planet e zgjerimit ta konsiderojnë përfshirjen e Kosovës për shkak të potencialit të lartë që ka. Në anën tjetër, sa i përket çështjes së sigurisë, ai takoi disa prej zyrtarëve më të lartë të administratës Biden me të cilët ndau aspiratat për fuqizim të lidhjes mes dy shteteve tona dhe shtim të kapaciteteve tona mbrojtëse.

Kryeministri Kurti po ashtu mbajti disa prezantime e ligjërata në disa universitete të njohura në ShBA si dhe disa takime e tubime me bashkatdhetarë e shoqata shqiptare që veprojnë atje.
Në këtë album i gjeni të përmbledhura të gjitha aktivitetet e Kryeministrit në ShBA.

Të ngjashme