Lajme
Së pari kuvendi e pastaj presidenti, Osmanin nuk e pengon asgjë t’i japë mandat Kurtit
Demokracia
18:58 | 22 Shkurt 2021

Share:

Pavarësisht zërave se a duhet të zgjidhet së pari presidenti i vendit apo të konstituohet kuvendi, njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se Kosova është shtet parlamentar dhe rrjedhimisht së pari duhet të formohet kuvendi.

Më 14 shkurt, Kosova ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje me 47.85 për qind.

Mirëpo kanë kaluar më shumë se një javë dhe akoma nuk ka përfunduar procesi i numërimit. Vetëm gjatë ditës së hënë KQZ-ja në bazë të rekomandimit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, ka vendosur që të shkojnë në rinumërim edhe 494 vendvotime, gjë që e ngadalëson procesin e numërimit dhe rrjedhimisht edhe të certifikimit të zgjedhjeve.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi duhet të konsituohet brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja.

Mirëpo qysh tani është shtruar pyetja se a duhet të konstituohet Kuvendi së pari apo të zgjidhet presidenti i vendit, pasi që aktualisht Kosova është me ushtrues të detyrës së presidentit.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Demokracia.com, se pavarësisht se Kosova ka ushtrues detyre të Presidentit, në asnjë mënyrë kjo nuk e pengon Vjosa Osmanin që t’i jap mandat partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht Albin Kurtit, që të formojë Qeverinë e re të Kosovës.

Sipas Krasniqi, edhe në të kaluarën ka ndodhur një gjë e tillë, kur Jakup Krasniqi si ushtrues detyre i presidentit e kishte mandatuar Hashim Thaçin për kryeministër të vendit.

Krasniqi thotë se e rëndësishme është që të respektohen afatet kohore në lidhje me konstituimin e kuvendit por edhe zgjedhjen e presidentit.

“E para çfarë duhet të ndodhë është që të kryhet certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe më pas të konstituohet kuvendi, sepse pa konsituimin e kuvendit nuk mund të ketë as zgjedhje të qeverisë e as presidentit. Pra i pari është kuvendi”, shprehet Krasniqi dhe sqaron se “pavarësisht se kemi një ushtrues detyre të presidentit, ajo mund t’ia jap mandatarin fituesit të zgjedhjeve, në këtë rast zotëri Kurtit, për të formuar qeverinë dhe në këtë formë mund të formohet qeveria dhe më pas të zgjidhet presidenti”.

Për më tepër, sipas Jeta Krasniqit, kjo nuk do të jetë hera e parë që veprohet kështu.

“Pra nuk është se është se nuk mundet ushtruesi i detyrës së presidentit t’ia jap mandatarin partisë fituese. Çfarë kemi parë në të kaluarën ka qenë që Jakup Krasniqi si ushtrues i detyrës e ka bërë të njëjtën gjë, ai i ka dhënë mandatin zotëri Thaçit, që në atë kohë i kishte fituar zgjedhjet, edhe është formuar qeveria. Praktika e së kaluarës mund të zgjidhet edhe tani”.

“Por – këmbëngul Krasniqi – së pari duhet të bëhet konstituimi i kuvendit sepse nuk kemi një kuvend dhe ai kuvend do të jetë qi i cili do ta zgjedh qoftë qeverinë qoftë presidentin”.

“Edhe afatet kohore kushtetuese lidhur me – qoftë formimin e qeverisë, qoftë me zgjedhjen e presidentit – duhet të respektohen”, është shprehur Krasniqi për Demokracia.com.

Edhe Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë për Demokracia.com, se fillimisht duhet të konstituoohet kuvendi e më pas të zgjidhet presidenti, pasi që edhe në bazë të Kushtetutës së Kosovës, vendi ynë është republikë parlamentare.

“Kushtetuta e Kosovës ka të ndërtuar Republikën si demokraci kushtetuese parlamentare, ku organi më i lartë kushtetues është Kuvendi i Kosovës që përfaqëson vullnetin e popullit të Kosovës përmes votës së lirë në zgjedhje, nga ku burojnë dhe marrin edhe mandatin institucionet si Presidenti dhe Qeveria e Kosovës”, sqaron Miftaraj.

“Pas certifikimit të zgjedhjeve, konstituohet Kuvendi i Kosovës sipas rregullave dhe procedurës së përcaktuar me Kushtetutë dhe praktikës gjyqësore të ndërtuar nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, thotë Miftaraj dhe përshkruah hapat e mëtutjeshëm: “pas konstituimit të Kuvendit, hierarkia e normave kushtetuese përcakton se Zyra e Presidentit të Republikës si pushtet i ndërmjemë dhe që garanton funksionimin kushtetues të institucioneve kushtetuese do të duhej të konsiderohej si prioritet në emërimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, për t’u pasuar me formimin e qeverisë”.

“Një praktikë e tillë është e bazuar edhe në shumicën e modeleve të demokracive kushtetuese parlamentare, nga ku e ka marrë edhe bazën Kushtetuta e Kosovës”, theksoi Miftaraj.

Duke folur për Demokracia.com, ai ka thënë edhe se partitë politike, por edhe vetë deputetët, në ditën kur zgjidhet presidenti i vendit duhet të respektojnë Kushtetutën e Kosovës dhe obligimin e tyre kushtetutës për zgjedhjen e institucioneve.

“Sikurse partitë politike, edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës do të duhej të respektonin Kushtetutën e Kosovës dhe obligimin e tyre kushtetues për të formuar institucionet shtetërore, duke mos bërë kalkulime politike apo partiake, duke u siguruar se në kohën e votimit të Presidentit të Republikës të gjithë pa dallim të qëndrojnë në sallën e kuvendit”, u shpreh Miftaraj.

Theksojmë se në bazë të Kushtetutës së Kosovës, vendi mund të udhëhiqet nga një ushtrues detyre i presidentit jo më shumë se gjashtë muaj. /Demokracia.com/

Të ngjashme