Lajme
“S’e di, s’e kom pa, s’e kom mendu”, deputetët e LVV-së në dilema të mëdha për ligjin që lejon martesat e gjinive të njëjta
Demokracia
15:40 | 21 Shkurt 2022

Share:

Ka arritur në Kuvend projekt-kodi civil me anë të së cilit njihen martesat e gjinisë së njëjt.

I njëjti javën e kaluar është miratuar në Komision, dhe i është dorëzuar kuvendit.

Votimi në kuvend i këtij projektligji do të vë në sprovë shumë deputetë, sidomos deputetët e Vetëvendosjes të cilët janë të obliguar të bëjnë shumicën për votim.

Indeksonline ka kontaktuar me disa deputetë të pushtetit dhe se asnjëri nga ta nuk e ka pohuar as mohuar votimin e këtij projektligji.

Me zë të ngrysur, e me plot dilema, shumica e deputetëve të kontaktuar janë arsyetuar se nuk e kanë parë ende në detaje se çfarë parasheh ky projektligj, ani pse me 11 janar të këtij viti Qeveria i ka propozuar kuvendit projektligjin që lejon martesat e seksit të njëjtë.

“Hala se kom mendu, duhet me e pa mirë saktësisht se çka thotë, e me analizu” ka thënë Ardian Gola.

“Hala se kom pa. Kur e shoh bash du me e pa për çka është fjala” ka thënë Artan Abrashi.

“Nuk jam i informuar që lejohen martesën e sekseve të njëjta”, ka thënë Besim Muzaqi.

Kur gazetari fillon të ia lexoj projektligjin, deputeti Muzaqi e mbyll telefonin.

“Nuk e di. Gjatë qëndrimit tim në seancë do e kuptoni qëndrimin tim karshi kësaj teme”, ka thënë Eman Rrahmani.

“Nuk e di a do të jem këtë janë. Deri tani nuk është në agjendë. Për këtë do të ketë debat dhe do i paraqesim secili qëndrimet tona”, ka thënë Labinotë Demi-Murtezi.

Kujtojmë se kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se deputetët e kësaj partie, do ta diskutojnë nenin e Projekt-Kodit civil, përkatësisht librin 4 të familjes, lidhur me martesat mes gjinisë së njëjtë në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin këtë referencë, përfshirë edhe ‘konservativët’ siç tha ajo.

“Projekt-Kodi Civil është hera e parë që prezantohet në Kuvendin e Kosovës, përmban 1630 nene dhe pesë libra, është baza e të drejtës civile për secilin shtet në këtë rast edhe Kosovës. Ajo të cilës ju i referoheni, përbëhet në librin e katërt që është familja. Debate publik po vërehet që i gjithë debate po shkon në çështjen e librit të katërt e po humb fokusi te librat e tjera”, tha ajo. /Demokracia.com/

Të ngjashme