Lajme
S’dihet kush është Qeveria, vartësit e Kurtit e bëjnë “lëmsh” me propozime në ZRrE
Demokracia
19:43 | 01 Shkurt 2022

Share:

Ministrat e Qeverisë dhe Lëvizja Vetëvendosje, që të gjithë e kanë shef Albin Kurtin. Por, edhe pse ky i fundit ka heshtur, vartësit e tij e kanë bërë “lëmsh” me propozime në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, duke radhitur secili për vete listë “dëshirash”, shkruan Demokracia.com.

Ministria e Financave e udhëhequr nga ministri i Kurtit, Hekuran Murati, ka propozuar që të ngritet pragu i bllokut të parë në 1,000 kWh. Ministria e Ekonomisë e udhëhequr nga ministrja e Kurtit, Artane Rizvanolli, ka propozuar ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh në 800 kWh.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Abin Kurti, i ka rekomanduar ZRrE-së që nivelin e propozuar nga 600kWh/muaj ta ngrisë në nivelin 800kWh/muaj.

Që të tria këto rekomandime janë pjesë e komenteve të raportit konsultativ të ZRrE-së për të hyrat maksimale të lejuara dhe për strukturën tarifore, të cilat i kanë dërguar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë vartësit e kryeministrit Kurti, i cili personalisht ka zgjedhur të mos e dërgojë asnjë koment.

Edhe Ministria e Ekonomisë, e cila është ministri e linjës dhe herën e parë duket se ishte pjesë e koordinimit institucional të pragut prej 600kWh, pasi që në kalkulimet e saj ZRrE-ja e dinte saktë edhe subvencionimin prej 75 milionë euro që do t’ia bënte Qeveria, këtë radhë pas presionit qytetar ka dalë me rekomandim për ngritje të pragut të bllokut në 800 kWh.

Ky “lëmsh” i vartësve të kryeministrit Kurti nxjerr në pah që vendosja e pragut nuk ka të bëjë me kurrfarë analize të kostos së sistemit, por me listë të “dëshirave” të ministrave dhe partisë së kryeministrit Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme