Lajme
Scholz flet për ikjen e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë drejt Gjermanisë
Demokracia
14:42 | 07 Mars 2023

Share:

Largimi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë drejt Gjermanisë është diskutuar në takimin mes kryeministrit i Shqipërisë Edi Rama dhe kancelarit Olaf Scholz në Berlin.

Në konferencën për shtyp, kreu i qeverisë shqiptare tha se ka diskutuar për të gjetur mënyra që Shqipëria të mos jetë financuesi i drejtpërdrejtë i sistemit shëndetësor gjerman. Nga ana e tij, kancelari gjerman shprehu përgjegjësinë e vendit të tij mbi nevojën e fuqisë punëtore dhe tha se po punohej në këtë drejtim.

“E kemi diskutuar këtë çështje dhe nuk mund t’i kërkojmë Gjermanisë dhe asnjë vendi të BE-së dhe as Britanisë që të ndalojë lëvizjen e lirë të kapitalit njerëzor dhe të atyre që nga Shqipëria duan të sprovojnë veten në profesionin e tyre në tregjet e Gjermanisë e vendet e tjera. Kemi diskutuar për të gjetur mënyra e mekanizma që Shqipëria të mos jetë financuesi i drejtpërdrejt i sistemit shëndetësor gjerman dhe i kam thënë që studentët tanë paguajnë 1-16 e kostos dhe pjesën tjetër e paguan qeveria. Të gjitha vendet kanë nevojë për forcë të kualifikuar pune, jo vetëm Gjermania. E rëndësishme të gjejmë një rrugë evropiane për të balancuar atë që Shqipëria e vende të rajonit humbasin në këtë fazë kaq të rëndësishme ku duan të bëhen pjesë në BE dhe të rrisin cilësinë e shërbimeve dhe jetës në vendet e tyre”, tha ai.

Scholz tha se Gjermani po përgatit legjislacionin që emigrimin e fuqisë punëtore jo vetëm nga BE-ja, por edhe vende të tjera.

“Lëvizja e lirë u ka dhënë qytetarëve ndjesinë e lirisë që nuk mund të shkosh vetëm si turist, por edhe të punosh aty ku ke dëshirë. Më parë ishte një sfidë e madhe dhe e vështirë, sot nuk është më. Me këtë liri janë të lidhura dhe shumë sfida dhe vendi ynë ndjehet përgjegjës që nevojën për vende pune mos ta mbulojë vetëm nga vendet e BE-së, por edhe përtej BE-së. Po përpunojmë legjislacionin për emigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe me këtë hapet tregu dhe kjo e bën të menaxhueshme situatën në Evropë”, tha ai tutje.

Të ngjashme