Lajme
S’bëhet rehat ministrja Nagavci, provon ta largojë përgjegjësinë nga fshehja e të ardhurave të vajzës në vitin 2020
Demokracia
22:45 | 24 Maj 2022

Share:

Ministrja Arbërie Nagavci nuk po bëhet rehat, veçanërisht pasi që lehtësisht tani mund të bëhet objekt i hetimit nga Agjencia Kundër Korrupsion, meqë konfirmoi edhe vetë që i ka fshehur nga deklarimi i pasurisë në vitin 2020 të ardhurat e vajzës së saj, Mirjeta Nagavci.

Nagavci përkundër që më herët deklaroi se vajza e saj është punësuar më 20 janar 2020 në Ministrinë e Financave, ajo nuk i kishte deklaruar të ardhurat e vajzës në formularin që kishte dorëzuar më 16 qershor 2020, gati 5 muaj pas punësimit të saj, gjë që përbën shkelje ligjore pasi që konsiderohet fshehje e pasurisë, transmeton Demokracia.com.

Deklarimi i pasurisë në vitin 2021 nga Nagavci, ku përfshihen edhe të ardhurat e vajzës së saj, nuk e justifikon atë nga mosdeklarimi në vitin 2020, meqë vajza e saj “është punësuar më 20 janar 2020”.

Nga burime brenda Ministrisë së Financave, Demokracia.com ka mësuar se Mirjeta Nagavci, vajza e ministres Nagavci, një kohë të gjatë as që kishte dalë në punë, pasi që asokohe institucionet kanë funksionuar vetëm me staf esencial për shkak të shfaqjes së rasteve të para në Kosovë me COVID-19, në muajt e parë të vitit 2020.

Demokracia.com ka provuar disa herë gjatë ditës të kontaktojë me ministren Nagavci, pasi që bëhej fjalë për çështje familjare dhe jo për çështje që ndërlidhen me MASHTI-në, ndërkaq dërgimi i mesazhit ishte përpjekja e fundit për të marrë një përgjigje nga ajo, para publikimit.

Ky është reagimi i plotë i ministres Arbërie Nagavci:

Portali ‘Demokracia’ sërish paska shpifur ndaj meje, tash me titullin ‘’ Reagon ministrja Nagavci që injoron mediat, shkeli ligjin në vitin 2020 duke mos i deklaruar të hyrat e vajzës’’.

Edhe si deputete e edhe si ministre gjithnjë kam deklaruar pasurinë ashtu siç parasheh ligji. Çdo vit zyrtarët publik raportojnë të hyrat e tyre dhe familjarëve dhe siç mund ta shihni edhe në foton më poshtë tek deklarimi i fëmijëve në vitin 2021 kam raportuar për vitin paraprak edhe të hyrat e vajzës sime nga ministria në fjalë.

Në anën tjetër, ky portal me pa të drejtë më akuzon që nuk i kam kthyer përgjigje anipse kanë tejkaluar secilën procedurë duke më shkruajtur privatisht dhe me SMS kësisoj duke anashkaluar emailin zyrtar dhe zyrën për media në kuadër të Ministrisë. Po ashtu, unë aktualisht ndodhëm në vizitë zyrtare jashtë vendit çka e bën edhe më të pamundur komunikimin. Përveç kësaj nga koha e dërgimit të mesazhit deri te publikimi i lajmit ka shumë pak hapësirë kohore çka paraqet edhe tendenciozitetin e këtij lajmi.

Edhe një herë, në fotografinë më poshtë gjeni raportimin tim të pasurisë dhe rrjedhimisht edhe të vajzës sime.

Edhe këtë lajm do ta adresojë në KMShK dhe pastaj për të proceduar me padi.

Të ngjashme