Lajme
SBASHK-u për Ligjin e skemave pensionale: Qeveria vazhdon me kryeneçësi, diskriminimi vazhdon
Demokracia
14:47 | 31 Korrik 2023

Share:

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vazhduar me kryeneçësi dhe nuk ka konsultuar palët për ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale.

Sipas komunikatës, SBASHK-u ka akuzuar Qeverinë për mosbashkëpunim dhe se edhe me ndryshimet e reja, në Ligjin për skemat pensional ka prapë diskriminim.

“Qeveria Kurti duke u trimëruar me numrin e votave vazhdon të nxjerr Ligje e të bëj ndryshime në Ligje pa bërë konsulta me palët që preken me këto vendime e Ligje. Një veprim i tillë ka ndodhur edhe me Projektligjin për ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti. SBASHK-u në pritje që do të ftohen sindikatat nga komisioni dhe Ministri Murati për të ofruar propozime të argumentuara lidhur me këto ndryshime, kishte përgatitur argumente, fakte e propozime konkrete , që do të bënin zgjidhje të përhershme dhe të drejtë për të gjitha palët që preken me këtë Ligj. Mirëpo, Qeveria vazhdoi me qasjen e gabuar e me kryeneçësinë dhe u votuan ndryshime sa për të thënë e teksa diskriminimi vazhdon dhe zgjidhjet janë afatshkurta e të padrejta”, thuhet në njoftim.

Sipas SBASHK-ut, me këto ndryshime preken ligjet tjera, siç është rasti me Ligjin për statutin e punëtorëve të arsimit të viteve të 90-ta, i cili si vite kontributdhënëse ua njihte atyre që punuan në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës kohën nga viti shkollor 1989 e deri më 31 tetor 1999, kur edhe kishte përfunduar viti shkollor, që ishte zgjatur me vendimin e organeve të Kosovës të asaj kohe.

Ligji për skemat pensionale u votua të enjten në Kuvend. Megjithatë, nuk i ka dhënë fund diskriminimit disavjeçar të pensionistëve që kanë paguar kontribute.

 

Të ngjashme