Lajme
SBASHK paralajmëron mbylljen e shumë shkollave, alarmon institucionet që të veprojnë
Demokracia
23:29 | 10 Mars 2024

Share:

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Rrahman Jashari ka paralajmëruar mbylljen e shumë shkollave në vend.

Ai ka alarmuar institucionet që të veprojnë, ngase siç thotë ai, nëse vazhdon ky trend pos që do të mbyllen shumë shkolla, çka do të ndodhë me ata pak nxënës që do të mbesin dhe cka do të ndodhë më mësimdhënësit qe mbesin pa nxënës.

Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut, duke folur për dokumentarin ‘Expose’ të Gazeta Blic, thotë se janë dy faktorë për braktisjen e shkollave nga nxënësit, teksa alarmon institucionet që të veprojnë.

“Po fatkeqësisht dhe ky problem nuk është i ndërlidhur vetëm me heqjen e vizave, problemin e rënies shumë të madhe të numrit të nxënësve e kemi pas vitet e fundit, një numër i konsideruar i nxënësve. Dhe janë dy faktorë qoftë për shkak të natalitetit tepër të ulët në Kosovë, qoftë për fatkeqësinë tjetër që po na përcjell, familjet po shkojnë në vendet tjera të Evropës për të jetuar, dhe po shohim që ka rrezik që të shuhen paralele, ka rrezik që të mbyllen edhe një numër shkollash. Dhe kjo do duhej që të ishte një alarm në mënyrë që institucionet e shtetit bashkë me Sbashk-un, Ministrinë dhe Qeveria, ta bëjnë një plan çka në të ardhmen ngase janë dy probleme këtu. Çka me numrin e vogël që mbetën të nxënësve, ka rrezik që ato shkolla të mbyllen, por nëse mbyllen duhet të bëhet një zgjedhje që ata nxënës ta vazhdojnë mësimin në shkollën më të afërt dhe të sigurohet edhe udhëtimi për ta. Çka me mësimdhënësit e atyre shkollave? Ne kemi qëndrimin se ata mësimdhënës nuk bën të mbeten pa punë, ngase kanë një përvojë 30 vjeçare, disa edhe më shumë dhe të tillët nuk janë të përgatitur për një profesion tjetër”, thekson ai.

Jasharaj potencon se janë dy përgjigje në të cilat duhet të japë shteti pastaj për mësimdhënësit që mbesin pa punë.

“Shteti duhet të jap dy përgjigje, si të rregullohet udhëtimi dhe risocializimi do të thosha, sepse nxënësi kur e ndërron rrethin e vet ndihet jo bash mirë në shkollën tjetër, dhe duhet të sigurohet edhe udhëtimi dhe duhet siguruar edhe mësimdhënësit që shkollat e të cilëve mbyllen pa fajin e tyre kuptohet, faji nuk është i tyre, të bëhet një zgjedhje dhe ata të mbesin në sistem dhe të gjejnë vende pune në kuadër të sistemit arsimor për ta”, shprehet kryetari i SBASHK-ut.

Të ngjashme