Lajme
SBAShK i shqetësuar me “diskriminimin” në Ligjin për Skemat Pensionale që kaloi në Kuvendin e Kosovës
Demokracia
16:34 | 31 Korrik 2023

Share:

Qeveria e Kosovës nuk i ka konsultuar palët që preken nga Ligji për Skemat Pensionale, ka reaguar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK), teksa kanë akuzuar qeverinë që udhëhiqet nga Albin Kurti se ky Ligj që kaloi në Kuvendin e Kosovës sërish bën diskriminime.

“Qeveria Kurti duke u trimëruar me numrin e votave vazhdon të nxjerr Ligje e të bëj ndryshime në Ligje pa bërë konsulta me palët që preken me këto vendime e Ligje. Një veprim i tillë ka ndodhur edhe me Projektligjin për ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti”, thuhet në një njoftim.

“SBASHK-u në pritje që do të ftohen sindikatat nga komisioni dhe Ministri Murati për të ofruar propozime të argumentuara lidhur me këto ndryshime, kishte përgatitur argumente, fakte e propozime konkrete , që do të bënin zgjidhje të përhershme dhe të drejtë për të gjitha palët që preken me këtë Ligj. Mirëpo, Qeveria vazhdoi me qasjen e gabuar e me kryeneçësinë dhe u votuan ndryshime sa për të thënë e teksa diskriminimi vazhdon dhe zgjidhjet janë afatshkurta e të padrejta”.

SBAShK shprehet e shqetësuar se me këto ndryshe do të ketë pasoja edhe në ligje të tjera, siç thonë ata, në këtë rast Ligji për statusin e punëtorëve të arsimti të viteve të 90’a.

Ditë më parë edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj reagoi për këtë Ligj teksa tha se nuk i ka adresuar çështjet e Gjykatës Kushtetuese.

“Përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pensionet kontributdhënëse vazhdoi diskriminimi me pesëmbëdhjetë vjetëshin përsëri. Ligjet e ish-Jugosllavisë interpretohen sipas dëshirës, pra 15 vjetëshi është ligj ish-Jugosllavisë, ndërkaq i njëjti ligj parasheh se në rast se ju nuk i plotësoni 15 veti deri në ditën kur delni në pension, keni të drejtën e blerjes së deri në 3 vjet të stazhit. Ky nuk implementohet me anë të këtij ligji. Me këtë ligj Kosova është vendi i vetëm në botë i cili nuk i njeh avancimet profesionale dhe shkencore që i ka lëshu vetë shteti jonë gjatë viteteve 89-99. Këto nuk njihen për pensionim, por njihen për punësim”, ka thënë deputeti i AAK-së.

Dreshaj tha se kalimi i këtij ligji u bë me “arrogancë të numrave” dhe me “logjikë totalitare” teksa shpjegoi edhe propozimet që AAK i ka vendosur në tavolinë për Ligjin, por që partia në pushtet nuk ua ka përfillur.

“Ne dje kemi propozuar që Paragrafi 2.2 i Nenit 8/a për pensionim parcial kontributdhënës të largohet. Arsyeja: sepse shumica e të larguarve nga puna nuk kanë dëshmi lidhur me largimin nga puna. Pra, janë larguar pa vendime. E këta, rrjedhimisht, nuk mund të sjellin dëshmi që janë larguar nga puna dhunshëm”.

“Dy. Kemi propozuar Amanandent për ndërrimin e paragrafit 2.4 paragrafit 8/a. Që të aplikohet parimi i proporcionalitetit sipas viteve kontributpaguese deri në vitin 2002 ku për herë të parë qytetarët kosvoarë kanë filluar të paguajnë Trust-in pensional. Amandamenti i tretë që është propozuar nga AAK ka qenë që në paragrafin 4 të njëjtin Nen ku lartësia pensionale për pensionimin parcial secilit nivel të përcaktohet sipas formulës duke startuar nga 20% i pagës dhe të shtohet përqinja për 1 për qind”, shtoi ai.

Të gjitha, këto tha Dreshaj, “fatkeqësisht nuk janë aprovuar”.

Të ngjashme