Intervista
Sauer: Ban Ki-moon është ndjerë i befasuar kur Plani i Ahtisaarit nuk u pranua nga i tërë Këshilli i Sigurimit
Demokracia
13:51 | 05 Korrik 2021

Share:

Nën-Sekretar i Shtetit për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës, Kai Sauer, që ishte edhe „dora e djathtë“ e Presidentit Ahtisaari në bisedimet në Vjenë nga të cilat ka dalë edhe pavarësia e Kosovës, në një interviste për Demokracia.com, ka folur për procesin e këtyre negociatave.

Ai ka thënë se Plani i Ahtisaarit ishte ndërmarrje e përbashkët që përmbante kontributet jo vetëm nga Kombet e Bashkuara por edhe nga BE, nga NATO, UNESCO, OSBE dhe Komisioni i Venecias.

“Profesionalisht, ishte përvojë pozitive të punojë si bashkëpunëtor i një negociatori të paqes, me përvojë, dhe ish-president. Gjithashtu, ekipi ishte plot talentë. Kishim kolegë të shkëlqyer që përfaqësonin qeveri dhe institucione të ndryshme. Zëvendësi i Ahtisaarit, ambasadori Albert Rohan, meriton lavdata të veçanta. Ai ishte “ligë” në vete si njohës i rajonit. Produkti që po draftonim ne ishte kompleks dhe gjithëpërfshirës, që kërkonte proces të konsultimeve të gjëra e të thukta. Nuk kam udhëtuar asnjëherë në jetë aq shumë sa gjatë kohës që kam punuar me Ahtisaarin”, ka thënë Sauer..

Duke folur për procesin e bisedimeve në Vjenë, Sauer ka thënë se kishte shumë pika të larta, pasi sipas tij, vet Ahtisaari ishte lider inspirues dhe inkurajues

“Këto procese zakonisht ndjekin një model të ngjashëm. E para është faza përgatitore kur bëni bashkë ekipin dhe bëni konsultimet me palët dhe hisedarët kryesorë. Pastaj hyni në fazën e negociatave, që zakonisht merr shumë kohë dhe është shumë intensive. Në fund vjen faza e “marketingut dhe shpalosjes” kur produkti i prezantohet bashkësisë ndërkombëtare. Kishte shumë pika “të larta” pasi vet Ahtisaari ishte lider inspirues dhe inkurajues. Shumë kolegë nga Kombet e Bashkuara e pranonin se asnjëherë nuk kanë punuar me një epror aq të afërt e të qasshëm. Ndoshta KB dhe Finlanda paraqesin dy pole të kundërta kur është fjala për kulturën e hierarkisë në vendin e punës”, ka thënë ai.

Tutje, Sauer ka thënë se Ban Ki-moon ishte ndjerë i befasuar kur Plani i Ahtisaarit nuk u pranua nga i tërë Këshilli i Sigurimit.

“Procesi koincidoi me tranzicion në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kur Kofi Annan e përfundoi mandatin e tij ndërsa postin e mori Ban Ki-moon. Të dy e mbështetnin plotësisht punën tonë, por Ban Ki-moon ndoshta është ndjerë i befasuar kur Plani i Ahtisaarit nuk u pranua nga i tërë Këshilli i Sigurimit”, ka shtuar ai.

Sipas Sauer, ndër pikat “e larta” ishte edhe përkushtimi i shumë institucioneve ndërkombëtare që të ofrojnë ekspertizën e tyre për këtë përpjekje të përbashkët.

“Kishte pak pika “të ulëta”, ndoshta vetëm një, por një vërtetë e ultë. E kam fjalën për faktin që Këshilli i Sigurimit i KB nuk e miratoi propozimin e Ahtisaarit për shkak të refuzimit të Rusisë. E mira tjetër erdh më 2008 kur Presidenti Ahtisaari mori çmimin Nobel për paqe. Besoj që i tërë ekipi u ndje krenar për këtë” deklaroi Sauer. /Demokracia.com/ 

Intervista e plotë: 

Kai Sauer: Mos u ngujoni në politika nacionaliste shkurt-pamëse

Të ngjashme