Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka thënë se ka ndjekur zhvillimet e fundit në komunat veriore, sulmet ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it e gazetarëve, ndërsa thekson se kjo tregon qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës.
Në njoftimin e LDK-së, thuhet se zhgënjyese dhe e rrezikshme e me pasoja afatgjate mbetet qasja e Kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
LDK thotë se mos koordinimi me shtetet mike e ka vënë Kosovën në përplasje të ashpër me aleatët më të mëdhenj të saj.
“LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër. Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët. Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e LDK-së.