Lajme
Sanksionet| Kurtit i anulohen me radhë vizitat jashtë vendit, Kosova drejt thellimit të izolimit ndërkombëtar
Demokracia
15:07 | 20 Qershor 2023

Share:

Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare si sanksione kundër Kosovës, për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.

E këto masa si duket tashmë kanë filluar të zbatohen.

Demokracia.com merr vesh se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pasur takim me homologun suedez, Ulf Kristersson, megjithatë ky takim i është anuluar prej palës suedeze.

Po ashtu, sipas burimeve brenda kabinetit të Kurtit, atij edhe Vatikani ia ka anuluar vizitën e kryeministrit Kurti atje.

Në Vatikan, siç thuhet nga burime brenda kabinetit të Kurtit, ai ishte planifikuar të kishte takim me Papa Françeskun, porse ky takim nuk do të zhvillohet dhe krejt kjo si pasojë e masave ndëshkuese për shkak të mospërfilljes së kërkesave të ndërkombëtarëve.

Lidhur me anulimin e vizitave të Kurtit ka shkruar sot edhe gazetarja austriake, Franziska Tschinderle.

Përmes një postimi në Twitter, ajo ka thënë se disa takime të Albin Kurtit janë anuluar, mes tyre edhe një takim me ministrin e jashtëm austriak Schallenberg në aeroportin e Vjenës.

“Sanksionet e BE-së kundër Kosovës po merren seriozisht me sa duket. Dëgjova se disa takime me Albin Kurtin janë anuluar, mes tyre edhe një takim me ministrin e jashtëm austriak Schallenberg në aeroportin e Vjenës.”

Një gjë e tillë nuk është konfirmuar ende nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ditë më parë gjatë një konference për media e kishte konfirmuar se po merreshin masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të veprimeve të qeverisë së saj.

“Pavarësisht thirrjeve tona, kryeministri Kurti ka dështuar të ndërmarrë hapa dhe aksione për të deeskaluar (situatën), plani i tij pesëpikësh dështon që të adresojë në mënyrë adekuate problemet që shkaktuan e që janë rrënjët e krizës… dhe për të cilat presim që t’i adresojë” ka thënë Stano.

Ai kishte folur për masa që do të kishin efekt të menjëhershëm.

“Bashkimi Evropian në linjë me 27 vende anëtare ka përgatitur propozime për masa me efekt të menjëhershëm.”

Ai përmendi se masat do të kishin pasoja financiare e politike. /Demokracia.com/

Të ngjashme