Lajme
Samiti i Tiranës, 2.6 miliardë euro mbështetje për energjinë në rajon
Demokracia
23:36 | 05 Dhjetor 2022

Share:

Pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, forcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja në rajon, sfidat e emigrimit dhe lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, do të jenë disa nga temat kryesore që do të diskutohen nesër në samitin e 27 vendeve anëtare të BE-së, me partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Samiti i nesërm në Tiranë është i pari mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet në rajonin tonë.

Ky samit po shihet si një mundësi e mirë për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Diskutimet në takimin e Tiranës priten të fokusohen edhe në efektet negative për furnizimin e rregullt me energji dhe ushqime pas luftës në Ukrainë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë më herët se tashmë ka një mbështetje financiare për të ndihmuar vendet në Ballkanin Perëndimor të përballen me mungesat dhe çmimet më të larta.

“Ne kemi krijuar një paketë mbështetjeje për energjinë, që të gjithë së bashku duhet të mobilizojnë të paktën 2.5 miliardë euro për rajonin”, ka thënë edhe Várhelyi.

Liderët e BE-së pritet që të propozojnë një plan veprimi për emigracionin, i cili parashikon 20 masa operacionale të strukturuara në 5 shtylla, të cilat janë:

1. Forcimi i menaxhimit të kufijve;

2. Përshpejtimi i procedurave të azilit;

3. Lufta ndaj kontrabandës së emigrantëve;

4. Rritja e bashkëpunimit për ripranimin dhe kthimet;

5. Arritja e harmonizimit të politikave të vizave.

Plani i ri i veprimit për emigracionin synon të forcojë bashkëpunimin për menaxhimin e kufijve me partnerët në Ballkanin Perëndimor, në dritën e perspektivës së anëtarësimit në BE.

Një çështje delikate si integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është kthyer në krye të agjendës pas luftës në Ukrainë. Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë edhe për mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe politik, me fokus të veçantë tek të rinjtë.

Ata gjithashtu do të bëjnë vlerësimin e progresit të bërë drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor me tregun e brendshëm të BE-së, modernizimin e sistemeve të pagesave në përputhje me standardet e BE-së dhe zbatimin e “korsive të gjelbra”, një nismë për të lehtësuar logjistikën ndërkufitare dhe tregtinë ndër-rajonale.

Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës.

Kjo përfshin luftën ndaj manipulimit të informacionit dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike.

Të ngjashme