Lajme
Samiti i paqes për Ukrainën, Rusia dhe Kina mungojnë/ “The Guardian”: Kievi dhe Moska s’i ndalin sulmet
Demokracia
10:11 | 15 Qershor 2024

Share:

Në datën 15 dhe 16 qershor do të mbahet në Zvicër konferenca e Paqes për Ukrainë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Zvicër një ditë përpara mbajtjes së Samitit dyditor, ku do të jenë të pranishëm dhjetëra liderë botërorë. Por në këtë Samit do të mungojë Rusia. Udhëheqësi ukrainas shpreson të marrë mbështetje maksimale kundër agresionit rus.

Zelensky tha se bisedimet do të fokusohen në sigurinë bërthamore, sigurinë ushqimore dhe kthimin e të burgosurve të luftës dhe fëmijëve ukrainas të dërguar në territorin e kontrolluar nga Rusia.

Zëvendëspresidentja e SHBA, Kamala Harris, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe liderët e Gjermanisë, Italisë, Britanisë, Kanadasë dhe Japonisë janë ndër ata që do të marrin pjesë në samitin zviceran në Lucern, shkruan The Guardian.

Pavarësisht disa muajsh lobimi ukrainas dhe zviceran, disa liderë të tjerë nuk do të jenë atje, veçanërisht Kina.

Udhëheqësit e G7 kanë dënuar rolin e Pekinit në mbështetjen e Moskës.

Mbledhja vjen pasi presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Moska do të hyjë në bisedimet e paqes vetëm pasi Ukraina të tërheqë trupat e saj nga lindja dhe jugu i vendit – një plan të cilin Zelensky e hodhi poshtë.

Të ngjashme