NGA DR. JORGJI KOTE
Po, vërtet pa identitet insti tucional ka mbetur Komuniteti Politik Europian (KPE), i cili u krijua në qershor 2022, me nismën e Presidentit francez, Macron. Bilanci i tij nuk ka si të jetë më i varfër: vetëm me 5 samite në Pragë, Kisinau, (Moldavi), Alhambra (Spanjë) në Londër, Budapest dhe i gjashti që mikpritet nga Tirana më 16 maj 2025. Asgjë më tepër, dhe pavarësisht nga emri tingëllues, jehona publike dhe mediatike e KPE-së është në minimumet e veta, madje sa vjen e shuhet dhe kjo, se ky komunitet i katandisur në 2 samite në vit nuk lë asnjë lloj gjurme dhe reference. Gjithsesi, Samiti i Tiranës mund të ketë rezonancë më të madhe ndërkombëtare, kjo në vazhdim të bisedimeve të nivelit më të lartë që filluan më 15 maj në Stamboll lidhur me paqen në Ukrainë; më tej, pas fitores së thellë të PS-së së Kryeministrit Rama, problematikave të zgjedhjeve të 11 majit dhe protestës në ditën e Samitit nga opozita, e cila ashtu siç dhe ka njoftuar më parë, do të shpallë ndërkombëtarisht mosnjohjen prej saj të 11 majit zgjedhor.
Mirëpo edhe samitet, si e vetmja “shenjë jete” e KPE-së karakterizohen vetëm nga diskutimet e lira ndërmjet liderëve të pranishëm, në 3–4 tryeza dhe panele mbi tematikat shqetësuese të kohës; pa protokoll, vendime dhe kundërshtime, duke u treguar në çdo rast, siç i thonë fjalës “hatër paprishur dhe punë pabitisur”! Në këto samite, krahas bisedave të lira në mjedise të këndshme dhe dëfryese, liderëve europianë u jepet rasti të shijojnë dhe atraksionet turistike, pijet dhe specialitetet kulinare, duke i kthyer ato thjesht në “talk and eating”! (fol dhe ha). Kjo ndodh mbasi dhe “katalogu” i KPE-së është plot me “PA-ra”. Krejt ndryshe nga KiE-ja, OSBE-ja, BE-ja, NATO apo dhe grupime rajonale, si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RÇ) me seli dhe goxha Sekretariat në Sarajevë, KPE-ja, ndonëse forum mbareuropian, vazhdon të jetë pa adresë, pa seli, pa shtëpi, pa Sekretariat, pa strukturë drejtuese, pa axhendë, pa program dhe pa plan, pa vendime, pa kundërshtime, pa deklarata shtypi, pa fonde dhe pa asnjë takim në formate të tjera ministeriale dhe ekspertësh.
Aty ka vetëm “diplomaci të butë dhe sharmi”, me qëllim që kushdo lider ta ndjejë veten dhe më mirë “se në shtëpinë e vet”, të mos i mbetet qejfi, të mos vihen në siklet dhe të ndihen sa më rehat dhe nga media. Kësisoj, KPE-ja është kthyer, siç e ka përshkruar me eufemizëm dhe vetë Presidenti Macron në një “intimitet strategjik” të nivelit më të lartë. Edhe Franca, si nismëtare dhe diplomacia e saj me plot telashe në shtëpinë e vet, nuk ka bërë asnjë hap tjetër mbas lançimit të KPE-së me shumë pompë, bujë dhe zhurmë mediatike, jehona e së cilës u shua ende pa u ndezur si “flakë kashte”. Për pasojë, edhe tani, plot tre vjet pas krijimit, shumë pak dihet nga publiku i gjerë se çfarë është dhe çfarë bën KEP-ja dhe ca më pak se çdo të ndodhë me të në të ardhmen, se kështu siç është, “as të ngroh dhe as të ftoh”!
Ndonëse zyrtarisht, ky forum europian konsiderohet platformë “për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit”, ai ka mbetur në kuptimin real të fjalës “pa kokë dhe pa këmbë”. Në fakt, shpresohej shumë se mbas samitit inaugurues të 6 tetorit në Pragë, në tetor 2022 e deri në takimin e Londrës në korrik 2024 ishin 2 vite, kohë kjo tejet e mjaftueshme për të përpunuar ide dhe mendime të ndryshme, me qëllim që mbi atë bazë të hartohej një program konkret me tematikat, instancat drejtuese dhe teknike, bashkë me procedurat e tjera të nevojshme për të ardhmen e një organizate të tillë të re paneuropiane. Kjo dhe për të shmangur paralelizmin dhe mbivendosjen me organizata të tjera të ngjashme EuroAtlantike dhe mbi 20 nisma rajonale.
Mirëpo kjo as nuk është realizuar dhe as nuk ka gjasa se kjo do të ndodhë. Ca më tepër kur sfida dhe konkurrenca ndaj saj është e madhe. Se po të jetë puna për organizata dhe samite informale të kësaj natyre, ka forume të tjera globale me emër dhe tradita, ku spikatin prej dekadash Konferenca Ndërkombëtare e Sigurisë e Munihut dhe Forumi Ekonomik Botëror i Davosit në Zvicër, ku çdo vit mblidhen 4-5 herë më shumë liderë botërorë dhe europianë, me jehonë të pakrahasueshme politike, publike dhe mediatike. Në këto kushte, natyrshëm ridalin sërish në skenë dyshimet dhe hamendësimet e mëparshme. Përse u desh ky grupim i ri? Cilat janë veçoritë e tij dalluese, përparësitë, dallimet, problemet dhe pengesat? Dhe a është KPE-ja vërtet një grupim apo organizatë e re politike, apo thjesht një forum qeveritar “sharmi”? Apo thjesht i shtohet për konvejencë “cirkut të samiteve” dhe sa “për të larë gojën”?
Dihet se idenë për krijimin e KPE-së e hodhi Presidenti francez, Macron, më 9 maj 2022 në Seancën Plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, ajo u konfirmua në Samitin e BE-së më 24 qershor në Bruksel. Në fakt, ai e sajoi këtë emërtim tingëllues diplomatik, mbasi ia refuzuan idenë e mëparshme për një BE “me dy korsi/shpejtësi ose me “tri rrathë koncentrikë”. Sipas tij, KPE-ja do të ishte “laborator gjeopolitik” në përgjigje të kërkesave dhe sfidave me të cilat përballej Europa, paqja dhe demokracia, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Komponenti i parë themelor lidhej me faktin se kriza e COVID–19 dhe veçanërisht agresioni rus ndaj Ukrainës tregonte se BEja me 27 vende anëtare e ka të pamundur të luajë e vetme rolin e saj gjeopolitik në skenën europiane dhe më gjerë. Në këto kushte, një ndër objektivat e saj kryesore ishte që në kuadrin e krijimit të një fronti të gjerë të shteteve demokratike të mblidhte rreth vetes disa vende të tjera, të cilat nuk synojnë anëtarësimin në BE, si Norvegjia, Islanda, Zvic ra, ose e kanë të pamundur këtë anëtarësim brenda një afati të shpejtë kohor. Tipik është rasti i Ukrainës, Moldavisë, Gjeorgjisë dhe i Ballkanit Perëndimor.
Veç vendeve të lartpërmendura, për realizimin e objektivave të saj gjeopolitike, BE-ja kishte nevojë të ngutshme për zgjerim dhe kohezion politik dhe me vende të mëdha fqinje dhe shtete jashtë saj, si Britania e Madhe, Turqia, Ukraina etj.. Mirëpo, këto argumente bien poshtë, sepse BEja e luan këtë rol dhe pa KPE-në me 27 vendet e saj, në bashkëpunim me NATO-n, OSBE-në dhe KiE-në, ku praktikisht janë të 47 vendet e KPE-së, plus SHBA-të, Kanadanë dhe vende të tjera. E çuditshme se si është hequr dorë për shkaqe agjende nga samitet e OSBE-së dhe KiE-së dhe tani këto samite zhvillohen dy herë në vit, por fare të lira nga çdo lloj debati, protokolli dhe përgjegjësie në kuadrin e KPE-së! As shpjegimi i dytë se KPE-ja lindi si nevojë për t’i bërë ballë më mirë agresionit rus ndaj Ukrainës nuk është bindës.
Mjafton të shohësh punën e bërë dhe masat e ndërmarra nga organizatat e tjera paneuropiane dhe më gjerë, ku del qartë se me përjashtim të liderëve të vendeve që janë në të, KPEja nuk ka luajtur ndonjë rol, ca më pak të veçantë. Më konkretisht, në aspektin ekonomik, në 40 muajt e fundit BEja ka miratuar 16 paketa me sanksione të ashpra ndaj Rusisë. Ndërsa KiE, në një nga samitet e saj të rralla në Islandë më 18 maj 2023, hapi një regjistër me nënshkrimet e 41 nga 47 vendet anëtare ku shënohen krimet, humbjet, dëmet njerëzore dhe materiale që ka shkaktuar agresioni rus në Ukrainë. Në aspektin ushtarak, nën kryesimin e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, mbasi SHBA-të hoqën dorë në mars, vepron aktivisht grupimi me 57 vende i vendeve që kontribuojnë me ndihma ushtarake për Ukrainën. Ndërkohë që Samiti i NATO-s në Uashington më 9–11 korrik akordoi 50 miliardë euro ndihma për Kievin për vitin 2025, vendosi krijimin e komandës në Gjermani për dërgimin e furnizimeve dhe trajnimin e trupave ukrainase, dërgimin e avionëve ushtarakë F–16 e të tjera. Nuk qëndron as ideja se KPE-ja përbën një forum të përshtatshëm dhe të veçantë për vendet e rajonit tonë. Në tri 3 dekadat e fundit, vendet tona janë bërë anëtare dhe kandidate të BE-së, OSBEsë, KiE-së, shumica dhe të NATO-s; në 9 vitet e fundit jemi pjesëtare aktive të Procesit të Berlinit dhe në mbi 20 nisma shumëpalëshe dhe rajonale.
Madje, më 31 maj 2023, në Samitin e Sigurisë në Bratislavë, BE-ja shpalli një “plan të ri të rritjes ekonomike për Ballkanin” me 6 miliardë euro në zbatim e sipër, krahas Procesit të Berlinit. Ndërsa përsa i takon idesë së KPEsë si alternativë apo plotësim ndaj anëtarësimit në BE, ajo nuk “ngroh kurrkënd” dhe nuk “ngjit kurrkund”, sepse së pari, KPE-ja nuk zëvendëson dhe nuk e ngadalëson dot anëtarësimin në BE. Kjo, mbasi ky proces krahas aspektit realpolitik, është në varësi të ecurisë së vendeve kandidate në procesin e reformave demokratike, arritjeve dhe të dinamikave brenda BEsë. Po ashtu, lidhur me aspektet organizative, KPE-ja nuk mund të vazhdojë të funksionojë më kështu, si një dekor politik diplomatik. Ndryshe, siç paralajmërojnë shumë ekspertë politikë dhe mediatikë, ajo mund të katandiset në një forum simbolik, në një lloj organizate shtetërore joqeveritare, duke e ulur më vonë dhe nivelin e përfaqësimit, një platformë pa bosht, pa taban, “pa bukë” dhe pa besueshmëri. Mirëpo nga ana tjetër, ajo nuk ka se ç’bën dhe nuk di se në cilën “ombrellë” të futet, sepse të gjitha rrugët dhe shtigjet, hapësirat dhe tematikat gjeopolitike e demokratike janë zënë me kohë nga BE-ja, NATO-ja, KiE-ja, OSBE-ja, OKB-ja dhe grupime të tjera. Ja pse në “stadiumin politik ndërkombëtare”, KPE-së do t’i duhet të “qëndrojë në këmbë”, ose “përballë”, por jo në “Tribunën VIP”. Ja pse, shpresat që KPE-ja të shënojë ndonjë ndryshim thelbësor në arkitekturën gjeopolitike në Europë janë zbehur edhe më shumë, duke shtuar pikëpyetjet dhe dyshimet mbi efektivitetin e saj të vërtetë gjeopolitik.
Realisht këto pritshmëri nuk i ngroh as Samiti i 6-të i KPE-së në Tiranë, jo vetëm se Tirana zyrtare nuk ka “këllqe” për një gjë të tillë dhe kjo jo për fajin e saj, por në radhë të parë për shkak të paqartësisë dhe mungesës së një vizioni për KPE-në. Gjithsesi, Tirana e bëri shumë mirë të vetën, duke e mikpritur këtë samit në kohëra të vështira për Europën dhe vetëm disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Kështu që në çdo rast, përfituesja e madhe e Samitit të Tiranës të KPE-së në planin diplomatik dhe të imazhit do të jetë pala shqiptare dhe diplomacia e saj. Le të sqarojmë me këtë rast jashtë propagandës se Tirana nuk u caktua apo vendos si mikpritësja e radhës për këtë samit me ndonjë aplikim, garë apo dhe konkurrim; as se atë e zgjodhi dhe vendosi dikush tjetër nga lart jashtë vendit. Jo, ishte vetë Kryeministri Rama që në Samitin e Londrës “zuri radhën” dhe në Budapest i ftoi homologët e tij në Tiranë, siç kanë bërë dhe do të bëjnë gjithë të tjerët për këtë forum “PA strehë” në kryeqytetet e tjera. E kush dhe pse duhej t’ia prishte qejfin për këtë ftesë, nga e cila gjithkush do të kishte vetëm “qar por jo zarar”?! Ndërkohë, Tirana zyrtare mund t’ia shtonte disi vlerat dhe dobinë këtij samiti dhe vetes së saj, nëse do të bënte ndonjë sugjerim praktik për të reduktuar katalogun e “Pa-ve” të KPEsë, pavarësisht nëse miratohej, por ne të bëjmë tonën, në mënyrë që herën tjetër të shkruhet diçka më shumë dhe më ndryshe për Komunitetin Politik Europian, që ai të mos jetë më, pa identitet, ose “pa kokë dhe pa këmbë”