Lajme
Samiti i NATO-s në Lituani| Rama: Të gatshëm të dërgojmë më shumë trupa
Demokracia
15:19 | 09 Korrik 2023

Share:

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar samitin e NATO-s që do të mbahet në Vilnius të Lituanisë, si një samit vendimtar i cili do të rikonfirmojë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s.

Kryeministri tha se Shqipëria është e gatshme që të angazhojë trupa shtesë në NATO dhe shtoi se në dekadën e fundit Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes.

“Ne mezi presim samitin vendimtar të NATO-s në Vilnius. Në Vilnius, ne do të rikonfirmojmë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, sigurinë e aleatëve tanë në krahun lindor, luftën e drejtë të popullit ukrainas dhe vetë nevojën për stabilitet dhe fokus në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Kryeministri, në  një  postim në  Twitter.

“Në dekadën e fundit, Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes nga 1.35% në 1.76% të PBB-së sonë. Megjithatë, në momente si kjo, nevojitet më shumë. Prandaj, kam ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes që të arrijë objektivin prej 2% deri në vitin 2024. Edhe pse nuk jemi ndër anëtarët e pasur të NATO-s, ne besojmë se objektivi prej 2% është dyshemeja dhe jo tavani i angazhimit tonë.

Në Vilnius, Shqipëria do të paraqesë vullnetin e saj për t’u angazhuar më tej. Ne gjithashtu do të njoftojmë se, nëse është e nevojshme, Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë përpara të NATO-s. Së bashku jemi më të fortë dhe vetëm së bashku mund të mbizotërojmë në këtë moment shumë përcaktues për atë që besojmë; për hir të brezave që do të vijnë”, shkruan Rama.

Të ngjashme