Lajme
Samiti i BE-së sot dhe nesër ngjall shumë shpresa për liberalizimin e vizave, “disponimi po ndryshon”
Demokracia
08:14 | 23 Qershor 2022

Share:

Një tjetër zhgënjim s’do të ishte çudi, por shpresat janë më të mëdha se kurrë më parë. Kosovarët presin që sot dhe nesër çështja e liberalizimit të vizave ta marrë mbështetjen vendimtare në Bruksel.

Në Bashkimin Evropian, disa diplomatë kanë vërejtur një përpjekje që nga Samiti i BE-së, që do të zhvillohet sot dhe nesër të shprehet mbështetje e qartë politike për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kjo do t’i hapte rrugë procedurës që do të iniciohej nga grupet punuese të Këshillit, ku edhe do të merrej vendimi.

Vendet më skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën njihen Franca dhe Holanda. Në Amsterdam u tha se ka lëvizur diçka.

Deputetja holandeze dhe njëherësh anëtarja e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, Kati Piri, ka thënë se disponimi i Holandës rreth integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor ka ndryshuar.

“Pas vitesh veto holandeze për zgjerimin e BE-së, disponimi po ndryshon në parlament: të mbështesë kandidaturën në BE të Ukrainës dhe Moldavisë; të përkushtuar për kandidimin e Gjeorgjisë, pasi të plotësohen kushtet; të gatshëm të rishikojnë liberalizimin e vizave për Kosovën; mbështetja për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shkroi Piri në Twitter.

Presidentja Osmani në Bruksel

Presidentja Vjosa Osmani udhëtoi të mërkurën për në Bruksel, me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel. Ajo do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e krerëve të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Në njoftimin e Presidencës u bë e ditur se Osmani do të jetë proaktive që të kërkojë liberalizim të vizave te vendet anëtare të BE-së dhe hapjen e rrugës për integrim për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Vizitën në kryeqendrën evropiane, Osmani e nisi duke shkuar në Parlamentin Evropian, ku Kosova vazhdimisht merr mbështetje për liberalizimin e vizave. U takua me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

“Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës sonë evropiane. Në një diskutim të hapur dhe përmbajtësor me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE”, shkroi më pas në Facebook.

Ku u shtuan shpresat?

Muajt e fundit, çështja e heqjes së regjimit të vizave u përmend nga liderë të vendeve anëtare të BE-së. Kjo madje u bë pjesë e programit të koalicionit qeveritar mes SPD-së dhe të Gjelbërve në Gjermani.

Në programin e përbashkët që kishte 177 faqe, për herë ta parë Ballkani Perëndimor zinte një vend të veçantë. Ndër rreshtat e tjerë thuhej se prioritet ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe liberalizimi i vizave për Kosovën.

Kur kryeministri Albin Kurti shkoi në Gjermani më 4 maj me ftesë të kancelarit Olaf Scholz, ky i fundit tha në konferencën e përbashkët që Gjermania do të angazhohet me këmbëngulje brenda BE-së që Kosovës t’i hiqen vizat.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, tha së fundmi se ai do të jetë ambasadori i fundit gjerman që do të pyetet për liberalizimin e vizave.

Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave. Këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti.

Të njëjtën e ka bërë edhe Parlamenti Evropian. /Express

Të ngjashme