Lajme
Sali Berisha thotë se i kemi thënë jo përpjekjes për të lënë Shqipërinë pa opozitë
Demokracia
18:56 | 07 Janar 2024

Share:

Sali Berisha u është drejtuar sërish nga dritarja mbështetësve të mbledhur poshtë banesës së tij në Tiranë.

Duke i falenderuar për praninë e tyre edhe në këtë ditë më shi, kryedemokrati u tha se me qëndresën e tyre, demokratët i thanë jo përpjekjes për ta lënë vendin pa opozitë.

“Ju shpreh ju sonte mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin tim më të madh. Sonte në shi, në kushte të vështira ju dëshmuat se nuk ka asnjë pengesë para jush, në kthesën tuaj, në një betejë pa kthim kundër të keqes së madhe që po rrënon çdo ditë qenien e kombit dhe që quhet, Edi Rama dhe regjimi i tij.

Miqtë e mi! Në rast se mendojmë se çfarë është shpresa, ajo është rrezja që shpon çdo errësirë, çdo tunel dhe që jep dritë udhës që duhet të ndjekim. Në të vërtetë, shpresa sot jeni ju, me qëndresën tuaj, të cilët keni vendosur të përballeni me diktaturën. Jeni të vendosur që të qëndroni si opozitarë të pamposhtur, të mbroni liritë, të drejtat më themelore, dinjiteti njerëzor, nga narkoshteti i Edi Ramës që po rrënon çdo ditë Shqipërinë e shqiptarët”, ka thënë Berisha.

Tutje ai është shprehur me një retorikë të fortë dhe akuzuese, duke shprehur kundërshtim të hapur ndaj qeverisë së kohës dhe duke akuzuar opozitën për bashkëpunim me qeverinë duke i quajtur përpjekjet e saj për liri dhe demokraci si tradhti ndaj idealeve demokratike.

“Dy vjet më parë me instinktin tuaj të lirisë, në ndjesinë më fisnike të njeriut, të dinjitetit të tij, kur e patë se opozita me program po tradhtohej, se Shqipëria po dënohej me një opozitë aleate të Edi Ramës, u ngritët fuqishëm në kushtet më të jashtëzakonshme dhe i thatë jo, prerjes në besë të idealeve demokratike të shqiptarëve. I thatë jo, presionit, shantazheve të mafies së Xhorxh Sorosit dhe mafies ndërkombëtare.

I thatë jo përpjekjes për një Shqipëri pa opozitë dhe rithemeluat opozitën e kombit shqiptar, e cila bëri gjithçka për të dalë në shesh, për të lënë mënjanë çdo mashtrim dhe gënjeshtër dhe ju tha shqiptarëve të vërtetën, se sot për vullnetin, votën, dinjitetin tuaj, ju keni një armik po kaq të egër sa në diktaturën më të zezë të të shkuarës komuniste. Dhe ky armik është Edi Rama”, ka përfunduar Berisha.

Të ngjashme